Pakoja e dyshimtë poshtë automjetit, Ademi: Situata në Shkodër nuk është e qetë
Pas vënies së pakos së dyshimtë ditën e sotme në Shkodër poshtë automjetit të administratorit të Vllaznisë, në vendngjarje ka shkuar edhe kryebashkiakja Voltana Ademi. Pasi ka takuar administratorin Suad Lici, ajo ka deklaruar se duhet nxituar për të dalë në një përfundim pa u verifikuar më parë ngjarja nga forcat e specializuara. Gjithashtu Ademi tha se në Shkodër situata nuk është e qetë.
Voltana Ademi: ”Unë u lajmërova nga mediat dhe erdha menjëherë sepse kam qenë afër. Unë besoj që duhet t’u lemë vendin grupeve të punës, forcave të RENEAS për të bërë një verifikim, dhe në varësi të asaj që do verifikohet do të duhet të bëhen kërkimet e duhura për të bërë të mundur nxjerrjen në dritë të së vërtetës. Shpresoj shumë mos të jetë diçka e tillë, askush në qytetin tonë nuk do probleme kaq të rënda. Në ditën e sotme do të duhet t’u lemë vendin për të punuar të gjithë forcave të policië. Kjo është një kërkesë jo vetëm si kryetare e bashkisë së Shkodrës por si një qytetare. Mendoj se do duhet të presim rezultatet që të nxjerrim përfundimin.”
E pyetur nëse ka patur probleme lidhur me menaxhimin e Vllaznisë Ademi u shpreh se sot ekziston një frymë tejet pozitive dhe bashkëpunimi midis skuadrës dhe tifozëve. Kryebashkiakja tha se ka patur dhe raste të tjera të paprecedenta por vendimet përkatëse nga organet ligjzbatuese, nuk kanë hedhur dritë mbi ngjarjet, dhe kjo gjë ka peshuar mbi drejtësinë.
Voltana Ademi: ”Unë skam pasur shqetësime, në këto kohë ka patur aspekte pozitive në menaxhim por duhet të presim, nuk duhet të ngutemi. Në Shkodër situata nuk është e qetë. Kam komunikuar në vazhdimësi me Policinë e Shkodrës, përpiqem t’i mbështes. Sot Më informoi drejtori i policisë i cili më shpjegoi për punën që duhet të kryejnë forcat speciale për vlerësimin e situatës. Duhet t’i lëmë teknicienët të bëjnë punën e duhur.”
”Sot nuk ka problematikë të tillë te Vllaznia, ka një frymë tejet pozitive me grupin dhe tifozerinë, po bëhet një punë serioze. Ngjarjet e mëparshme kanë qenë të paprecedenta, qoftë Policia e Shtetit por dhe vendimet përkatëse nga organet ligjzbatuese, nuk kanë hedhur dritë mbi ngjarjet, dhe kjo peshon mbi drejtësinë. Do jemi këtu përsëri për të diskutuar. Nuk është çështja për të bërë deklarata, nuk mendoj që jemi në kuadrin e deklaratave politike për sa kohë bëhet fjalë për sigurinë e qytetarëve dhe rendin.”
Shkodra është alarmuar mëngjesin e sotëm pasi është gjendur një pako e dyshimtë poshtë një automjeti te stadiumi Loro Borici.