Pamje nga televizioni malazez gjatë shpërthimit të tritolit në Shkodër
Nga Vlora në Shkodër Shqipëria është kthyer në arenë përplasjesh të bandave kriminale.
Një ekip i televizioni RTCG i Malit të Zi, ka qenë i pranishëm në momentin kur ka ndodhur shpërthimi në Shkodër, vend ku ishin edhe zyrat e një shoqate shqiptare-malazeze. Sipas këtij televizioni një “sulm me bombë në Shkodër ka shkaktuar plagosjen e 8 personave, prej të cilëve tre ndodhen në gjendje shumë të rëndë…”.
Lajmi jepet nga rrjeti televiziv malazez RTCG. Eksplozivi – thuhet në njoftim – i vendosur mbi një motor ka shpërthyer pranë zyrës së minoritetit serbo-malazez që ndodhet në qendër të qytetit. Sipas policisë shqiptare, ky sulm drejtohej kundër një biznesmeni vendor Lulzim Kulla, i cili ishte shënjestra e atentatit.
“Shpërthimi ka ndodhur kur ne po intervistonin tregtarët në rrugë. Pastaj situata u bë kaotike. Kishte shumë vetë të plagosur. Ne nuk dinim për ku të vraponim. Ishte e çuditshme që nuk pati shumë të dëmtuar. Më vonë morëm vesh se shënjestra ishte një biznesmen vendor” ka raportuar një korrespondente e RTCG.