Panairi i Punës, Erion Veliaj: Gara jonë, jo më me pamundësitë e së shkuarës

Kandidati i së majtës për kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori sot pjesë në panairin që është hapur në Pallatin e Kongreseve ku premtoi se do të punësohen nga 60 kompani pjesëmarrëse në të rreth 5 mijë të rinj. Veliaj pritet të lërë postin e Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, për të kandiduar në Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 21 qershorit,  dhe në një fjalim të gjatë në çeljen e Panair të Punës në Pallatin e Kongreseve, Ministri Veliaj tha se garën për punësimin është me veten, me standardin që kanë krijuar në këto një vit e gjysmë, dhe jo me “s-nuks-at” e 8 viteve, që sipas Veliaj dinin të thoshin vetëm “nuk”.

Erion Veliaj theksoi se panairi është një model suksesi i kësaj qeverisje:  – “Kam një porosi për ata që do të marrë stafetën e ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë: Gara jonë nuk është mes s’nuk-sat e 8 viteve që ikën, gara jonë është me këtë panair me standardin që kemi krijuar deri tani, me zyrat e punësimit, me fondin e punësimit dhe ne këtë garë e kemi me veten tonë.”

Duke iu drejtuar të rinjve, që ishin sot në Panairin e Punës, Veliaj ndau me ta edhe eksperiencën e punëve të tij të para. Ai tha se ka punuar edhe kamarier, edhe shitës ambulant, madje edhe fadromist për të pastruar borën. – “Unë punën e parë nuk e kam pasur ministër dhe as drejtues. Punën e parë e kam pasur edhe kamarier, edhe shitës ambulant  edhe fadromist për të hequr borën kur isha student dhe më vjen mirë që në këtë panair ka të rinj që besojnë te fabula e njerëzve që bëhen vetë, sesa si ai drejtori i portokallisë, i cili në fakt është një pardoi dhe jo një shembull suksesi që është në pritje që drejtorllëku t’i vijë nga qelli,” – theksoi Veliaj. “Të rinjtë që nuk i bëjnë bisht punës, që punojnë në hoteleri turizëm, që punojnë në “call center”, fason, bankë edhe kompani sigurimesh, dua t’iu them vetëm një fjalë; Respekt, Respekt!”

Megjithatë, të rinjtë ashtu siç është edhe mungesa e një vendi pune, i shqetësojnë kriteret e përzgjedhjes në administratë, të mënyrës sesi mund të bëhesh drejtor, dhe se përse e fshehin pasurinë dhe mbajnë ende vendet e punës me qindra  zyrtarë të lartë të denoncuar nga ILDKP, ndërsa me mijëra të tjerë nuk janë denoncuar akoma. Sakaq, me mijëra të rinj, mes tyre mjaft të talentuar, vazhdojnë eksodin për ta gjetur veten e tyre në perëndim.  Janë këto dy anët e “medaljes” së punësimit në Shqipëri. 

SHKARKO APP