Panariti: Brenda dy javësh mbyllim dëmshpërblimin e dëmeve në bujqësi

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u shpreh sot se, brenda dy javësh parashikohet të mbyllet procesi i kompensimit të dëmeve në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, për të gjithë fermerët, bizneset e të cilëve u prekën nga përmbytjet që përfshinë jugun e vendit.
Ministri Panariti tha se shpërndarja e ndihmave po vazhdon me ritëm të përshpejtuar dhe po bëhet zëvendësimi i bagëtive të dëmtuara krerë për krerë, në çdo familje fermerësh që janë dëmtuar nga përmbytjet.
Kreu i bujqësisë, që ndodhet në terren dhe po inspekton shpërndarjen e ndihmave, tha se kompensimi do të vazhdojë edhe për gjedhët, shpendët e kosheret e bletëve që janë dëmtuar. Deri tani, tha ministri Panariti, janë shpërndarë mbi 1000 krerë bagëti, ndërsa po vazhdon puna edhe për kompensimin e të gjitha bagëtive.
“Jemi të vendosur të kryejmë edhe ringritjen e serave. Do të ndërtojmë të gjitha serat e dëmtuara nga përmbytjet, duke përdorur teknologji edhe më të mirë se më parë. Do të kompensohet çdo dëmtim që është shkaktuar nga përmbytjet në sektorin rural” – tha ministri Panariti.

SHKARKO APP