Panariti: Burg kush tregton mishin pa asnjë kriter
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka mbledhur njësinë e Task Force, ndërsa ka thënë se tregtarët që shesin mishin në kushtet jo të duhura do të përfundojnë në burg. Gjatë mbledhjes, Panariti ka thënë se të gjithë tregtarët të cilët therin kafshët në rrugë dhe e tregtojnë atë pa asnjë kriter, duhet të ndiqen penalisht. Për të, gjobitja apo sekuestrimi i produktit nuk janë të mjaftueshme që ata të ndërgjegjësohen.
“Është një masakër ndaj kafshëve, duke therur kafshët në rrugë apo duke tregtuar mishin pa asnjë kriter.
Mendoj se të gjithë këta persona që bëjnë shkelje të tilla duhet të ndiqen penalisht”, u shpreh Panariti.
“Task-Forca që nesër do të shpërndahet në të gjithë vendin. Ata do të kontaktojnë me kryetarët e bashkive dhe do të inspektojnë tregjet. Nëse tregjet nuk plotësojnë standardet e duhura, do të mbyllen rreptësisht”, u shpreh Panariti.

