Papa Françesku: Kisha është si kor, ku të gjithë kanë nevojë për njëri-tjetrin

Françesku priti në audiencë, në Vatikan, pjesëmarrësit e Takimit IV Ndërkombëtar të Koreve: “Suksesi i ekzekutimit kushtëzohet nga angazhimi i secilit, nga interpretimi sa më i mirë i secilit në rolin e tij, duke i respektuar dhe duke i dëgjuar ata që i kanë pranë, pa protagonizëm, në harmoni”

R. SH. – Vatikan

Koret famullitare dhe dioqezane, scholæ cantorum, kapela muzikore, drejtorë dhe muzikantë. Ky është mozaiku i larmishëm i pjesëmarrësve në Takimin e IV Ndërkombëtar të Koreve, pritur nga Françesku në Vatikan. Papa, duke iu drejtuar miqve të tij, përfshirë edhe këngëtarët e rinj, së pari vërejti se “spontaniteti i fëmijëve flet më këndshëm se fjalimet më të mira”. “Ne duhet të kujdesemi për fëmijët – vijoi – sepse ata janë e ardhmja, shpresa por edhe dëshmia e spontanitetit, pafajësisë dhe premtimit”. Gjatë audiencës, Papa falënderoi mjeshtrin Imzot Marco Frisina dhe Nova Opera për promovimin e kësaj nisme, tashmë në edicionin e saj të katërt, zhvilluar dyzet vjet pas themelimit të Korit të Dioqezës së Romës. Në programin e këtij manifestimi, që përfundon nesër është koncerti madhështor i pasdites në Sallën Pali VI.

Harmonia

Gjatë takimit Françesku kujtoi tre aspektet themelore të këtij shërbimi të ushqyer nga besimi dhe pasioni muzikor: harmoninë, bashkimin dhe gëzimin. E më pas nënvizoi se “muzika, që lind harmoninë, arrin tek të gjithë, për të ngushëlluar ata që vuajnë, për t’u rikthyer entuziazmin atyre që janë të mërzitur dhe për të bërë që vlerat e mrekullueshme si bukuria e poezia, pasqyrim i dritës plot harmoni të Zotit, të lulëzojnë  në zemrat e të gjithëve”. Arti muzikor – shtoi Papa – ka “gjuhë universale dhe të menjëhershme, e cila nuk kërkon shumë përkthime apo shumë shpjegime konceptuale”.

“Mund ta vlerësojnë të thjeshtët dhe të diturit, disa duke kapur një aspekt, disa një tjetër, me pak a shumë thellësi, por të gjithë duke marrë nga e njëjta pasuri. Për më tepër, muzika mëson dëgjimin, vëmendjen dhe studimin, duke lartuar emocionet, ndjenjat dhe mendimet, duke i çuar njerëzit përtej vorbullës së nxitimit, zhurmës dhe vizionit thjesht material të jetës, e duke i ndihmuar ta kundrojnë më mirë veten dhe realitetin që i rrethon. U jep atyre që e kultivojnë, një vështrim të urtë dhe të qetë, me të cilin kapërcehen më lehtë ndarjet dhe antagonizmat, për të qenë – njësoj si instrumentet e një orkestre ose zërat e një kori – në marrëveshje, për të shmangë stonimet dhe për të korrigjuar disonanca, gjë e dobishme edhe për dinamikën e kompozimeve, sepse të integruara në një ind të aftë harmonik”.

Bashkimi

Duke kujtuar një aspekt tjetër themelor, atë të bashkimit, Papa theksoi se “kënga korale këndohet së bashku, jo vetëm”. “E edhe kjo  na flet për Kishën e botën, në të cilën jetojmë”. “Ecja së bashku – vuri më tej në dukje – mund të përfaqësohet si performanca e një koncerti të madh”: secili merr pjesë “me aftësitë e veta dhe ofron kontributin e vet, duke luajtur apo duke kënduar ‘pjesën’ e tij dhe duke rizbuluar kështu talentin, të pasuruar nga simfonia e bashkimit”.

“Në një kor e një orkestër, njëri ka nevojë për tjetrin dhe suksesi i lojës së të gjithëve kushtëzohet nga përkushtimi i secilit, nga fakti që secili duhet ta luaj sa më mirë rolin e tij, duke respektuar dhe duke dëgjuar ata që e rrethojnë, pa protagonizëm, në harmoni. Ashtu si në Kishë dhe në jetë, ku çdo person thirret ta luajë mirë pjesën e tij, në dobi të të gjithë bashkësisë, në mënyrë që nga të katër anët e botës t’i lartohet Zotit një këngë lavdërimi”

Gëzimi

Më pas Françesku u kërkoi pjesëmarrësve në Takimin e IV Ndërkombëtar të Koreve në Vatikan të mos lejojnë që mendësia e botës ta ndotë me “interes, ambicie, xhelozi, përçarjeje” thesarin “e artit, të bukurisë dhe të përshpirtërisë, pa harruar se janë rojet e tij:

“Për këtë, do t’ju bëjë mirë ta mbani lart tenorin shpirtëror të thirrjes suaj: me lutje dhe meditim mbi Fjalën e Zotit, duke marrë pjesë jo vetëm me zërin tuaj, por edhe me mendjen dhe zemrën tuaj në liturgjitë që gjallëroni dhe duke e jetuar përmbajtjen e tyre me entuziazëm çdo ditë, në mënyrë që muzika juaj të jetë lartim gjithnjë e më i lumtur i zemrës kah Zoti i cili, me dashurinë e tij, tërheq, ndriçon dhe shndërron gjithçka (shih 1 Kor 13,1-13). Kështu do ta kuptoni edhe këshillën e Shën Agustinit: “Ta lëvdojmë Zotin me jetë e me gjuhë, me zemër e me buzë, me zë e me sjellje”.

Së fundi, Papa u shprehu muzikantëve mirënjohjen për “shërbimin që i bëjnë lutjes së Kishës e ungjillizimit”.

SHKARKO APP