Papa Françesku me 100 artistë të humorit nga krejt bota: “A mund të qeshim edhe me Zotin? Sigurisht!”

Papa Françesku takoi në Vatikan mbi njëqind artistë nga bota e humorit. “Një buzëqeshje e bën gjakun e mirë”, perifrazoi ai një fjalë të urtë italiane.

“Ju i bashkoni njerëzit, sepse e qeshura është ngjitëse”, t’i bësh njerëzit të qeshin është talent i çmuar: sjell qetësi, është “ilaçi më i mirë kundër egoizmit dhe individualizmit”

R.SH. – Vatikan

Papa i mirëpret artistët e humorit nga e gjithë bota në Vatikan dhe, pas fjalimit, i përshëndet një nga një, ata dhe familjet e tyre, duke u ndalur herë pas here në bisedë, duke marrë prej tyre letra dhe dhurata të vogla. Atmosfera e takimit, organizuar nga Dikasteri vatikanas për Kulturën dhe Edukimin, si edhe nga Dikasteri ynë për Komunikimin, është shumë miqësore. “Ju shikoj me nderim ju artistëve, që shpreheni me gjuhën e komedisë, të humorit, të ironisë”, e fillon Papa fjalën e tij. Më pas, vlerësimi për aftësitë e tyre, por edhe për faktin se u sjellin pak qetësi njerëzve dhe favorizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre. “Talenti juaj – nënvizon Ati i Shenjtë – është dhuratë, dhuratë e çmuar”.

“Në mes të lajmeve kaq të zymta, të zhytur siç jemi në kaq shumë emergjenca sociale, madje, edhe personale, ju keni pushtetin të përhapni qetësi dhe buzëqeshje”, pohon Françesku, duke shtuar: “Në mënyrën tuaj, ju i bashkoni njerëzit, sepse e qeshura është ngjitëse. Është më e lehtë të qeshësh me të tjerët sesa vetëm: gëzimi e hap zemrën për të tjerët dhe është ilaçi më i mirë kundër egoizmit dhe individualizmit. E qeshura ndihmon edhe në thyerjen e barrierave shoqërore e në krijimin e lidhjeve ndërmjet njerëzve”.

Ju zgjoni sensin kritik, duke i bërë njerëzit të qeshin

Argëtimi dhe e qeshura “janë qendrore në jetën njerëzore”, vëren Papa, ato krijojnë “hapësira lirie”. Ati i Shenjtë rrëfen se, çdo ditë, ai vetë kërkon hirin për t’i marrë gjërat “me frymën e duhur”, duke përsëritur fjalët e Shën Tomas Morit: “Më jep, o Zot, sensin e humorit”. Për talentin e aktorëve të humorit, Papa përsërit: “Ju keni sukses edhe në një mrekulli tjetër: arrini t’i bëni njerëzit të buzëqeshin edhe kur merreni me probleme, fakte të vogla e të mëdha të historisë. Denonconi teprimet e pushtetit; u jepni zë situatave të harruara; nxirrni në pah abuzimet; raportoni sjellje të papërshtatshme… Por, pa përhapur alarm e tmerr, ankth e frikë, jo siç bëjnë shumë mjete komunikimi; ju zgjoni sensin kritik, duke i bërë njerëzit të qeshin dhe të buzëqeshin”.

Humori nuk fyen e as poshtëron

Sipas Biblës, vazhdon Françesku, Zoti ishte “spektatori i parë i historisë”. Në Librin e Fjalëve të Urta thuhet se Urtia “luante përpara tij”. E Ati i Shenjtë u thotë artistëve se “kur bëjnë të lindin buzëqeshje të mençura nga buzët qoftë edhe të një spektatori të vetëm, e bëjnë edhe Zotin të buzëqeshë”. Më pas, thekson sërish karakteristikat e veçanta të gjuhës së humorit:“Humori nuk fyen, nuk poshtëron, nuk i gozhdon njerëzit në të metat e tyre. Ndërsa sot, komunikimi shpesh bën të lindin kundërvënie, ju dini t’i bashkoni realitetet e ndryshme e, nganjëherë, edhe të kundërta. Sa shumë duhet të mësojmë nga ju!”.

Vazhdoni t’i bëni njerëzit të ëndërrojnë një botë më të mirë

Por, pyet Papa, “a mund të qeshim edhe me Zotin? Sigurisht – përgjigjet – kjo nuk është blasfemi, mund të qeshim, ashtu siç luhet e qeshet me njerëzit, që i duam fort”. Pa “i fyer ndjenjat fetare të besimtarëve, veçanërisht të të varfërve”, vëren më pas. Ati i Shenjtë e përfundon fjalimin me nxitjen që artistët të vazhdojnë “t’i gëzojnë njerëzit”, sidomos ata që vuajnë më shumë e të ndihmojnë të gjithë të “ëndërrojnë një botë më të mirë”. Papa nuk harron të kërkojë lutje për vete, duke përsëritur batutën: “me buzëqeshje, jo kundër!”

“Më jep, o Zot, sensin e humorit”

Pas bekimit, Françesku e mori sërish fjalën për t’u kërkuar të gjithëve të dëgjonin lutjen e bukur të Shën Tomas Morit, të cilën e pati përmendur më parë. E lexoi, artistja italiane Luciana Littizzetto, e cila e falënderoi Papën, edhe në emër të kolegëve, për këtë takim të gëzueshëm:

Ma fal, o Zot të lutem, një stomak

që nuk të trazon e s’ankohet aspak,

pse e di që ia jep diçka për ta mbushë

e kurrë nuk e len krejt bosh me u  përpushë.

Më jep një shpirt të butë e të mirë,

E mbushe përlot me gaz e me hir,

edhe me forcë, që të mos mëkatojë më kot

por të bëjë çka do, ti o i lumi im Zot!

Më jep një shpirt, që nuk mërzitet kurrë

po i bën ballë së keqes me forcë, porsi burrë

që s’ rri gjithnjë veç duke u ankuar

pse do veç vetveten e shumëdashuruar.

Më jep ti, o Zot, dëshirën të qesh,

ndihmomë që krahët për ditë t’i përvesh,

edhe pak gëzim, jo vetëm për mua,

por dhe për miqtë,  ma jep, që i dua!

Takimi i Papës me artistët e botës së humorit kaloi në mënyrë brilante, sepse edhe Papa, si artistët foli disa herë me humor.

SHKARKO APP