Papa Françesku takon arbëreshët: Jeni dëshmitarë të vëllazërimit

“Historia e Arbëreshëve të Eparkisë së Ungros – Kalabri karakterizohet nga udha e guximshme shpirtërore dhe nga besnikëria ndaj traditave, pa marrë parasysh vështirësitë e vuajtjet”. Këtë nënvizoi Papa Françesku duke takuar, në Sallën Pali VI, pjesëmarrësit në shtegtimin e Eparkisë së Ungros, e cila numëron më se 30 mijë katolikë italo-shqiptarë të ritit bizantin, të përhapur në zona të ndryshme të gadishullit italian.

Të kujtohet e kaluara, duke ecur drejt së ardhmes

Papa Françesku kujtoi se kanë kaluar 100 vjet nga themelimi i kësaj Eparkie. Ishte 13 shkurti i vitit 1919 kur Papa Benedikti XV, ndërsa bota ishte e copëtuar nga Lufta I Botërore, themelonte, me Kushtetutën Apostolike Catholici fideles, këtë Seli të Kishës katolike italo-shqiptare.

Kjo ngjarje e rëndësishme – nënvizoi Ati i Shenjtë Bergoglio – na krijon mundësinë ta falënderojmë Zotin për atë që bëri në bashkësinë tuaj shekujt e fundit, me mirësinë e mëshirën e Tij:

“Prandaj ju ftoj ta jetoni këtë jubile jo aq si pikarritje, por si hov të ri e të gëzueshëm të impenjimit tuaj njerëzor e të udhës suaj të krishterë. Në këtë kuptim, është më e nevojshme se kurrë të thellohet njohja e së kaluarës e të kujtohet me mirënjohje, për të gjetur në të arsyet e shpresës e për të ecur së bashku drejt ardhmërisë që Zoti dëshiron të na e dhurojë”.

Të jetojmë si të krishterë

Françesku e nxiti bashkësinë e katolikëve italo-shqiptarë ta mirëpresë gjithnjë ndër zemra, dashurinë e Zotit, burim e shkak i gëzimit tonë, të marrin pjesë në Sakramentet, të jenë pranë çdo familjeje, t’i kushtojnë vëmendje më të varfërve e më nevojtarëve, t’i shoqërojnë breznitë e reja në sfidën e madhe edukative, që u përket të gjithëve:

“Janë këto përmasat, në të cilat duhen ruajtur traditat tuaja – u kujtoi – ashtu si edhe përkatësia ndaj Krishtit e Kishës së Tij. Jeni të thirrur të jetoni si të krishterë, duke dëshmuar se dashuria është më e bukur se urrejtja; miqësia, më e bukur se armiqësia e vëllazërimi ndërmjet të gjithëve, shumë më i bukur se konflikti”. Papa u lut, në përfundim, që arbëreshët, kudo janë, të shoqërohen në udhën e tyre të përditshme nga Nëna e Shenjtë e Zotit, Odegitria – në greqisht, “Ajo, që tregon udhën”. Është paraqitja bizantine e Marisë – kujtoi – që me dorën e djathtë tregon Krishtin Fëmijë.

Ajo, shërbëtorja e bindur, që e pranoi fjalën e Zotit – uroi Françesku – ju bëftë gjithnjë më të bindur ndaj vullnetit të Atit e mjete bujare të planit të Tij të shëlbimit. E në përfundim, falënderimi për vizitën dhe bekimi papnor: “Të dashur vëllezër e motra, ju falënderoj edhe një herë për këtë vizitë e ju uroj përzemërsisht njëqindvjetorin tuaj. Duke ju kujtuar të luteni për mua, ju jap, me gjithë zemër bekimin, të cilin e shtrij me kënaqësi mbi familjet tuaja e mbi mbarë Eparkinë e Ungros”. /Vatican News/

SHKARKO APP