Papa Leo XIV, i pari amerikan në krye të Kishës Katolike: Paqe pa armë
Bota katolike ka tashmë një Papë të ri. Ai është kardinali Robert Francis Prevost, dhe do të quhet Leo i XIV. Papa i cili është 69-vjeç, është i pari amerikan në historinë e kishës katolike, dhe në daljen e parë u pa tepër i përlotur. Rreth 100 mijë besimtarë ishin në sheshin e Shën Pjetrit për të festuar zgjedhjen e Papës së Ri. Në raundin e tretë të votimit dhe në ditën e dytë të mbledhjes së Konklavës, nga Vatikani doli edhe tymi i bardhë.
Lutja e parë e Papës është për paqen në botë. Ai kujtoi se sot është Dita e Zojës së Pompei dhe së bashku me besimtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, ai recitoi një Ave Maria. “Faleminderit Papa Françeskut”, ishte një tjetër mesazh që dha Papa i ri Leoni XIV, duke e përmendur me mirënjohje pasardhësin e tij. Turma në Sheshin e Shën Pjetrit e priti këtë kujtim me duartrokitje të gjata dhe një britmë entuziazmi.
Nga Lozha Qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit, Kardinali Protodiakon Dominique Mamberti shqiptoi këtë formulë latine, duke i komunikuar Romës dhe mbarë botës emrin e Pasardhësit të ri të Pjetrit: “Eminentissimum ac Reverendissimum Dominum, Dominum Cardinalem Robertum Franciscum Prevost, qui sibi nomen imposuit Leone XIV. Përkthimi në shqip: “Më i shquari dhe më i nderuari Z. Robert Francis Prevost, Kardinal i Kishës së Shenjtë Romake, që zgjodhi emrin e Leonit XIV”.
Robert Francis Prevost lindi më 14 shtator 1955 në Chicago, SHBA. Ai është pjesëtar i Urdhrit të Shën Agustinit dhe ka shërbyer për shumë vite si misionar në Peru. Më vonë, ai drejtoi dioqezën e Chiclayo-s dhe u njoh për angazhimin e tij në ndërtimin e komuniteteve të varfra dhe në edukimin e klerikëve të rinj. Në 2023, Papa Françesku e emëroi Prefekt të Dikasterit për Ipeshkvijtë në Vatikan, një nga postet më të rëndësishme në strukturën e Kishës.
Me përvojë të gjerë ndërkombëtare dhe thellësisht i përkushtuar ndaj reformës, Papa i ri shihet si një figurë që mund të vazhdojë frymën e Papa Françeskut, por edhe të sjellë më shumë transparencë, përfshirje dhe dialog ndërfetar. Kisha tani hyn në një kapitull të ri me Leon XIV në krye, duke mbajtur gjallë shpresën për një Kishë më të hapur dhe më pranë njerëzve.
Një teolog kozmopolitan
Si prift agostinian, një urdhër i njohur për mos të qenë një vatër ultraprogresiste diçka për të mund të thuhet edhe nga lidhjet e tij: ai u shugurua prift nga monsinjor Jean Jadot, një belg, përfaqësues progresist i Kurisë Romake të asaj kohe. Në Çikago kishte një marrëdhënie të ngushtë me kardinalin arkiveskup Blaise Cupich, një kardinal që ishte shumë larg Donald Trumpit.
Dukshmëri globale
Në një Konklavë ku shumë kardinalë nuk njiheshin me njëri-tjetrin, ai ishte një nga pak kardinalët me dukshmëri globale: ai ka selektuar të gjithë ipeshkvinjtë e emëruar në dy vitet e fundit, ka pritur shumë ipeshkëvë gjatë vizitave “ad limina apostolorum” në Romë dhe ka shoqëruar Papën në disa udhëtime ndërkombëtare. “Unë ende e konsideroj veten si një misionar”,-tha ai sapo mbërriti në Romë. “Tani kam një mision shumë të ndryshëm, por gjithashtu një mundësi të re për të jetuar një dimension të jetës sime që thjesht ka qenë gjithmonë të përgjigjem me “po” kur kërkohet një shërbim.

KOHA JONË SONDAZH


