FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Papa, Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës: Të krishterët duhet të sjellin paqe ku ka përçarje. Është në lojë e ardhmja e njerëzimit

Në fjalimin e tij drejtuar delegacionit të Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës që erdhi në Romë për festën e Shën Pjetrit dhe Palit, Papa Leoni XIV përmendi përkujtimin e 1700-vjetorit të Koncilit të Parë të Nikesë, në Iznik, si dëshmi të “bashkimit tashmë ekzistues” midis besime të ndryshme të krishtera. Ai gjithashtu bëri thirrje për bashkëpunim të ripërtërirë përballë sfidave të sotme të lidhura me mbrojtjen e mjedisit dhe teknologjinë.

Një udhëtim që pasurohet me hapa të rinj, pikëmbërritja e të cilit – bashkimi – “tashmë ekziston” dhe përbën një dëshmi të paqes në një botë të shënuar nga luftërat, polarizimi dhe konflikti. Pengesat që ndeshen përgjatë rrugëtimit janë të shumta, të reja dhe ndryshojnë vazhdimisht, por madhështia e detyrës, “e ardhmja e njerëzimit”, është garancia e një angazhimi të përbashkët për të gjithë burrat dhe gratë vullnetmirë.

Kështu e parashikon Papa Leoni XIV të ardhmen e besimeve të ndryshme të krishtera në botë, mendime këto që i shprehu gjatë audiencës, këtë mëngjes, më 30 qershor, me delegacionin e Patriarkatit Ekumenik, të udhëhequr nga Emanueli, Mitropoliti i Kalcedonisë, delegacion i dërguar në Romë nga Patriarku Bartolome. Vizita është pjesë e shkëmbimit tradicional të delegacioneve me rastin e festave përkatëse të shenjtorëve pajtorë: dje për kremtimin e Shën Pjetrit dhe Palit dhe më 30 nëntor në Stamboll, për festën e Shën Andreut.

Swiss Digital Desktop Reklama

Prania juaj midis nesh shpreh afërsinë vëllazërore të Kishës motër në Kostandinopojë dhe të bariut dhe udhëheqësit të saj, Shenjtërisë së Tij Bartolomeut, Patriarkut Ekumenik. Jam thellësisht mirënjohës ndaj tij dhe të gjithë anëtarëve të Sinodit të Shenjtë që zgjodhën t’ju dërgonin në Romë, për të vazhduar shkëmbimin tradicional të vizitave në festat e Shenjtorëve Pajtorë të Kishave tona përkatëse.

Swiss Digital Mobile Reklama

Duke kujtuar takimet me Bartolomeun
Papa e filloi fjalën e vet me kujtimin e gjallë të pjesëmarrjes së tij në kremtimin e festës së Shën Andreut në Patriarkanën e Fanarit, në kishën e Shën Gjergjit, më 30 nëntorin e kaluar, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Turqi dhe Liban. Ai kujtoi “me gëzim dhe mirënjohje” takimet e tij me Patriarkun Bartolome dhe vizionin e përbashkët që gjendet në “dëshirën për të përparuar në rrugën drejt unitetit të plotë mes të gjithë të krishterëve”.

Përkujtimi i Koncilit të Nikesë
Një tjetër fazë kyçe e atij udhëtimi apostolik, theksuar nga Ipeshkvi i Romës, ishte përkujtimi i 1700-vjetorit të Koncilit të Parë të Nikesë, i mbajtur në prag të festës së Shën Andreut, në Iznik, me ftesë të vetë Bartolomeut dhe në prani të përfaqësuesve të Kishave dhe bashkësive të tjera kishtare.

Ajo përfaqësonte një dëshmi elokuente të bashkësisë që ekziston tashmë mes të gjithë atyre që kanë të përbashkët besimin në Hyjin, Atin e të gjithëve, dhe dëshmojnë Zotin dhe Birin e Hyjit, Jezu Krishtin, dhe Shpirtin e Shenjtë, i cili na frymëzon dhe na udhëheq drejt plotnisë të së vërtetës dhe unitetit.

Drejt kremtimeve të mijëvjeçarit të dytë të Shëlbimit
Ngjarje të tilla përkujtimore, vijoi Papa, nxjerrin në pah se si «Besojma e Nikesë» përbën themelin dhe parimet për t’u ndjekur në rrugëtimin drejt unitetit, proces brenda të cilit Leoni XIV caktoi edhe një datë:

Kjoftë rrugëtimi ynë drejt kremtimeve të mijëvjeçarit të dytë të Shëlbimit, në vitin 2033, të përshkohet së bashku nga të gjitha besimet e krishtera në mbarë botën, duke rizbuluar dhuntinë dhe thirrjen që të jemi dëshmitarë të të Ngjallurit.

Është në lojë e ardhmja e njerëzimit
Ky mision ka edhe më shumë peshë tashti, në një epokë që është e capërluar nga luftërat, nga “polarizimi në rritje” dhe nga përçarjet kulturore dhe shoqërore, nënvizoi Ati i Shenjtë. Kjo është një gjendje në të cilën, të krishterët, ” të pajtuar mes tyre dhe duke pohuar njëzëri një besim të vetëm”, kanë detyrën të bëhen një shenjë e besueshme e paqes, duke përfshirë këtu të gjithë burrat dhe gratë vullnetmirë.

Në gjendjen e tashme është në lojë jo vetëm besueshmëria e mesazhit të krishterë por edhe vetë e ardhmja e njerëzimit.

Përgjegjësitë e njeriut
Paqja, përdorimi i mirë i teknologjive dhe kujdesi për krijimin janë përgjegjësi që burojnë nga vetë Ungjilli i Jezu Krishtit. Tashti që po rriten dita-ditës, këto sfida janë bërë edhe më të ngutshme.

E në të vërtetë, përgjegjësia përballë jetës dhe dinjitetit të çdo njeriu – duke filluar nga më të vegjëlit dhe më nevojtarët – është parimi që vendos fatin tonë, të tashëm dhe të amëshueshëm.

Vatican News

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se protesta para kryeministrisë do të ketë sukses apo do shuhet?