Paradokset me Himarën… Dhe sa javë duhet që të përjashtohet?

 

Himara, Vetëtima, siç quhej skuadra e qytetit të Himarës, bën pjesë në grupin B të kampionatit të Kategorisë së Dytë.

Historia e saj, në ditët e sotme, është e mbushur me paradokse. Që nisin nga Bashkia e qytetit të Himarës, për të zbritur poshtë në FSHF, ku kryen veprimtarinë dhe aderon kjo skuadër futbolli.

Në javën e parë të kampionatit të Kategorisë së Dytë, Himara humbi 3­-0 në tavolinë ndeshjen me Naftëtarin e Kuçovës. Në javën e dytë humbi sërish në tavolinë 3­-0 me Bilisht Sportin e Bilishtit. Të dielën, Himara duhej të udhëtonte për t’u ndeshur me Orikumin fqinjë. Të mërkurën, Komisioni i Disiplinës, për mosparaqitje të skuadrës së Himarës, përsëri i humb ndeshjen në tavolinë 3­-0, ndonëse është rasti i tretë i përsëritur për të.

Ky është paradoksi i parë. Komisionit të Disiplinës jep një vendim, në njëkohë kur rregullorja e FSHF-­së e përcakton qartë, që nëse një skuadër, në dy ndeshje radhazi nuk paraqitet në garë, ajo automatikisht përjashtohet nga vazhdimi i kampionatit.

Paradoksi i dytë lidhet me Bashkinë e Himarës. Jorgo, apo Gjergji Goro, siç quhet kryebashkiaku i këtij qyteti, i cili “de jure” është edhe president i Himarës, nuk do të ia dijë fare, nëse qyteti ka apo nuk ka skuadër futbolli. Ndryshe nuk mund të shpjegohet qëndrimi i tij, ndonëse e ka për detyrë ndaj bashqytetarëve të tij, të siguronte fondet e nevojshme financiare, të më pak se 4 milionë lekëve të vjetra, në mënyrë që Himara të mos penalizohej nga FSHF-­ja.

Paradoksi i tretë është i përbashkët, FSHF­-Bashki. Jo larg, saktësisht në dhjetor të vitit 2012, në qytetin e Himarës u bë përurimi i stadiumit “Petro Ruci”, një investim i përbashkët midis FSHF-së dhe Bashkisë së qytetit të Himarës. Sot, pas tri vitesh, me ngjarjet që ndjekin njera­-tjetrën, rezulton ky ishte një investim i gabuar. Stadiumi ka mbetur djerrë dhe nuk do të jetë e largët dita që edhe rrethimi i tij të zhduket.

Paradoksi tjetër shkon përsëri te FSHF-­ja. Ka një rregullore, që edhe pse ajo flet qartë, nuk zbatohet. Kush duhet ta marrë vendimin për përjashtimin e Himarës nga kampionati i Kategorisë së Dytë, Departamenti i Garës, apo Komiteti Ekzekutiv i FSHF-­së?

Mesa duket duhet të presim, pasi paradokset me Himarën do të vazhdojnë edhe në javët pasardhëse…/Sportal.al

SHKARKO APP