Paralajmërimi i fortë i Altin Qatos: Gati për një tjetër operacion të fuqishëm
Pas aksionit “Vjeshtë 2017” për bllokimin e pasurive kriminale, do të nisë një tjetër operacion policor akoma më i madh.
Paralajmërimi është bërë nga vet Drejtori për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit, Altin Qato, i cili ishte i ftuar dje në emisionin “Opinion”.
Gjatë debatit, Qato nuk dha detaje konkrete, por theksoi se bëhet fjalë për një megaoperacion.
“Do përgatisim një operacion më të fuqishëm”, tha ai.
Sa i përket operacionit aktual që po zhvillohet në të gjithë Shqipërinë për pasuritë kriminale, Altin Qato deklaroi se nuk është fokusi vetëm tek automjetet luksoze, por edhe tek pronat.
“Po bëhet identifikimi i aseteve kriminale, në prona dhe makina. Kjo periudhë është më në fokus, pasi është krimi i organizuar i cili gjeneron më shumë para. Kemi bashkëpunim shumë pozitiv me Prokurorinë”.
Sipas Qatos, është krijuar një perceptim i gabuar lidhur me aksionet e policisë, pasi aksionet nuk po zhvillohen vetëm në qytetet Vlorë dhe Elbasan, por në të gjithë vendin.
“Tani ka një aksion në të gjithë Shqipërinë, por media është e fokusuar tek Elbasani dhe Vlora, pasi ne jemi fokusuar në të vendin”, tha ai.

