Parkimi në Tiranë, ja sa do të paguani sipas zonave dhe kush përjashtohet

Sipas planit të ri të Këshillit Bashkiak të Tiranës, 71 rrugë të kryeqytetit do të jenë me pagesë. Tirana do të jetë e ndarë në zonat A, B dhe C.

Në një intervistë për gazetën ‘Shqiptarja.com’, drejtoresha e agjencisë ‘Tirana Parking’, Eglantina Zëre thotë se tarifat e parkimit nuk do të jenë njësoj sipas zonave të ndryshme. Kështu, zona A do të ketë një tarifë 100 Lekë/orë, zona B 40 Lekë/orë dhe zona C 20 Lekë/orë.

Nga tarifimi përjashtohen banorët rezidentë, të cilët mund të parkojnë makinën pa pagesë poshtë pallatit, në lagje apo në rrugët që janë me pagesë, të cilat ndodhen në zonën e caktuar.

Për të identifikuar këta banorë rezidentë, ata do të jenë të pajisur me një pullë që do të kenë ngjyrë të ndryshme sipas zonës në të cilën banojnë. Për shembull, një qytetar që vjen nga qytetet e tjera të Shqipërisë, dhe do që të parkojë makinën në rrugën e Elbasanit, mund ta parkojë vetëm në rrugën kryesore që është me pagesë, pasi rrugët e lagjeve do të jenë me pagesë.

Drejtoresha sqaron që nëse drejtuesit nuk paguajnë detyrimin, do të ketë edhe penalitet duke filluar që nga gjobat, bllokimi i makinës etj.

SHKARKO APP