Parkingjet me konçension, Salianji: S’kemi tagër të vendosim për 35 vitet e ardhshme

Këshilli Bashkiak i Tiranës debatoi mbi dhënien me konçension të parkimeve të automjeteve në Tiranë. Bashkia në projektin e saj ka propozuar që parkimet të jepen me koncension me një afat prej 35 vitesh.

Tarifat mësohet se do të jenë 150 lekë të reja për zonat në qendër dhe 20 lekë të reja në lagje. Bashkia ndërkohë, sipas kësaj marrëveshje, do të marrë vetëm 10% të fitimit vjetor nga ky biznes. Basha duket se ka arritur marrëveshje me të majtët për dhënien e koncensionit, i cili do të votohet në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak.

Salianji u shpreh kundër dhënies për 35 vjet me konçension parkingjeve të Tiranës. Sipas Salianjit është anormale që një Këshill Bashkiak në ikje, që ka një mandat edhe për 3 muaj, të vendosë për 35 vite në lidhje me qytetin e Tiranës.

“Ju kërkoj të rishihni aktin, pasi ne nuk mund të vendosim se çdo të bëjmë për 35 vjet, nuk kemi asnjë tagër që të vendosim për qytetarët e Tiranës për 35 vitet e ardhshme, kur ne kemi një mandate vetëm 4 vjeçar. Ju kërkoj të rishikoni aktin”, theksoi Salianji.

Por për nënkryetarin e Bashkisë Enno Bozdo, Tirana është i vetmi kryeqytet në Europë që nuk ka të rregulluar parkingjet.

“Mendojmë se dhënia me konçension do të zgjidhë një problem madhor për Tiranën. Pse qytetarët e Tiranës sot pranojnë të paguajnë për parkimet në Tiranë dhe kur flasim për një konçension që do të rregullojë çështjen e parkingjeve në kryeqytet ne e konsiderojmë si një taksë për qytetarët. Çdo qytet europian i ka parkimet e rrgulluara, ky është një praktikë e njohur kudo në Europë”, theksoi Bozdo.

Sipas tij, Këshilli sot do të vendosë që Bashkia e Tiranës të ketë të drejtën të hapë garën, pra të na lejojë çeljen e tenderit dhe fitimin do e ketë koncensionari që ofron çmimin më të mirë, pra që na garanton rritjen e të ardhurave.

Në vijim të debatit, Salianji i kërkoi Bashkisë së Tiranës të paraqesë një studim mbi këtë çështje.

“Çfarë ke studiuar për parkimet në rrugët e Tiranës. Na thuaj si paraqitet situata për parkimet në Tiranë? Na thoni nëse ju doni të fitoni për xhepat tuaj apo doni që të fitojë buxheti i bashkisë? Keni bllokuar parkimet nëntokësore për 4 vite, ndërsa sot kërkoni të shisni ajrin e qytetit të Tiranës. Kush ju jep të drejtën të shisni rrugën?”, theksoi Salianji.

Këshilltari demokrat Njazi Kosovrasti në debatin me Salianjin tha se bashkia ka bërë projektin e saj, por kjo s’do të thotë se fituesi do të përcaktohet pa një garë.

“Ne i japim mundësi bashkisë të shpallë një garë dhe ne të gjithë e pranojmë se parkimet janë një problem në Tiranë”, theksoi Kosovrasti.

SHKARKO APP