Parlamenti Europian: Dhuna s’është zgjidhje, mazhoranca të hapë dialog me opozitën
Parlamenti Europian ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për politikën shqiptare, duke theksuar nevojën për më shumë dialog dhe stabilitet mes palëve. Në një konferencë për shtyp, kreu i Komisionit të Jashtëm në PE, David McAllister, u shpreh se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet i bazuar në meritë dhe kërkon përmbushjen e standardeve të qarta demokratike.
Ai vlerësoi faktin që integrimi europian konsiderohet prioritet në Tiranë, por nënvizoi se polarizimi i thellë politik vijon të mbetet shqetësues. Sipas tij, vendi ka nevojë për më shumë stabilitet institucional dhe bashkëpunim mes forcave politike. McAllister theksoi se mazhoranca duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të përfshirë opozitën në dialog, ndërsa kjo e fundit duhet të shmangë protestat e dhunshme, pasi akte të tilla nuk përputhen me parimet e një demokracie funksionale.
Duke iu referuar raportit më të fundit të Transparency International për perceptimin e korrupsionit, ai theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të mbetet prioritet i pandërprerë. Edhe pse janë shënuar përparime, rezultatet ende nuk konsiderohen të mjaftueshme. Rënia e Shqipërisë me 11 vende në renditje tregon, sipas tij, se nevojitet zbatim më i plotë i legjislacionit ekzistues dhe garantim i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, pa ndërhyrje politike. Ai shtoi se përfaqësuesit politikë duhet të japin shembull përmes integritetit dhe përgjegjshmërisë.
Në të njëjtën linjë, McAllister theksoi domosdoshmërinë e një reforme zgjedhore gjithëpërfshirëse, e cila të realizohet në kohë përpara zgjedhjeve dhe në konsultim me opozitën. Ai kërkoi që procesi të reflektojë dhe të zbatojë rekomandimet e OSBE-ODIHR, duke garantuar standarde më të larta demokratike në vend.
KOHA JONË SONDAZH

