Parti e re me Nanon? Ben Blushi: Jo, kam PS

 

Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi nuk krijon asnjë parti tjetër. I pyetur dje nga "Koha Jone" lidhur me zërat mediatikë, se gjoja ai dhe Fatos Nano do të krijojnë parti te re socialiste, Blushi u përgjigj prerë: “Jo! Kam PS-në”. Teksa thashethemnaja e “partisë së re” bëri xhiron mediatike, duke u servirur si një zhvillim politik sensacional, në këtë rast duket se vlen shprehja, “pas lajmit, ka një tjetër lajm”.  Siç duket, zërat kanë dalë nga ndonjë zyrë e Partisë Socialiste, me qëllimin jo për t’i rritur vlerat Nanos, por për të denigruar Ben Blushin. Më saktë, për ta larguar gjithnjë e më shumë nga Partia Socialiste, duke e futur në rrethin e deputetëve që në një të ardhme nuk shihen si pjesë e selisë rozë. Për më tepër, “lajmi” u servir nga media që njihen si më shumë se dashamirëse ndaj qeverisë aktuale. Kjo lëvizje duket si përgjigja e “moderuar” ndaj kritikave që Blushi ka bërë muajt e fundit ndaj lidershipit aktual të selisë rozë, Edi Rama.

Nëse ndjek zhvillimet që pas vitit 2005, lajme” me kthimin e Nanos në politikë kanë shërbyer më shumë për të pozicionuar forcat apo dhe larë hesapet në PS. Nano asnjëherë nuk është kthyer dhe mesa duket, siç e ka në stilin e tij, as e ka pasur seriozisht në mendje diçka të tillë. Për shumë arsye, për fat të mirë, historia tij duket se është mbyllur në politikë. E vetmja gjë që ka ndodhur, pas krijimit të partive të tilla mediatike është se janë larguar apo përjashtuar nga PS edhe ata emra që kanë qenë, jo besnik, por luajal ndaj ish-kryetarit socialist. A nuk ndodhi kjo me Arben Malajn, Marko Bellon, me Luan Hajdaragën e Musa Ulqinin? Një pjesë dhe janë rikthyer, por termi “Partia Nano” duket se ka qenë si vaksinë e socialistëve të rinj për të futur në karantinë të pabindurit ndaj lidershipit të PS. A po ndodh dhe kjo me rastin në fjalë?

Në të shkuarën, qëndrime të tilla të lidershipit të ri të PS-së ndaj zërave kritikë kanë qenë deri diku të kuptueshme. Së pari, si shenjë force se e kontrollon partinë. Së dyti, si mesazhe për mbështetësit e një partie politike që ishte gjatë në opozitë dhe përballë kishte pushtetin e Berishës që kërkonte përçarjen brenda së majtës. Por në këtë rast nisja e sulmeve ndaj Blushit duket se nuk i bën asnjë nder Partisë Socialiste. Përkundrazi, hap një histori thuajse të kaluar të së majtës, me goditje pas shpine, përdorimin e kolegëve për të sulmuar miqtë dhe lëshimin nga zinxhiri të mediave për të linçuar ata që “bezdisin” udhëheqjen e selisë rozë. Por Ben Blushi nuk është kaq i kollajtë për t’u përjashtuar, nëse e kanë në mendje.

Në afro dy vite qeverisje qeveria ka ndërmarrë disa reforma të rëndësishme,megjithatë edhe vetë kryeministri Rama thotë se ka bërë pak. Kreu i Qeverisë thotë se nuk është i kënaqur, ndërsa ministrat, deputetët, drejtorët ,etj janë vënë në radhë duke thurur lavde për arritjet e dy vjeçarit qeverisës.  I vetmi zë mes atyre socialistëve që ngazëllehen për sukseset dhe nuk shohin asnjë të metë është Ben Blushi. Kritikoi reformat e qeverisë duke i krahasuar me premtimet elektorale. Tha troç; të varfrit nuk po jetojnë më mirë, siç PS-ja premtoi. Kritikoi mënyrën sesi u menaxhuan përmbytjet dhe me të drejtë tha se për të njëjtat gjëra PS-ja ka sulmuar egër Berishën. I kujtoi kryetarit të PS-së se nuk po zhvillon zgjedhje në parti.Pas kësaj mori një seri goditjesh nga kolegët e tij që i kujtonin dhe sa herë kishte marrë pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar. Së fundi, kritikoi procesin e zgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet vendore në 61 bashkitë e vendit dhe kjo duket se shënoi dhe humbjen e qetësisë së një pjese afër kryetarit në PS.

PS-ja mbetet ajo që është pikërisht për shkak të debateve, zërave ndryshe, kritikave dhe qëndrimeve kundër rrymës së kryetarit. Nëse vazhdohet me sulme, diversione dhe paralajmërime do jetë shumë i vështirë dallimi i PS nga PD. Zërat kritikë po shtohen në PS për mënyrën e menaxhimit të qeverisjes si dhe përformancës që ajo po administron në sytë e publikut. Nëse dikush synon që edhe Ben Blushin ta kalojnë në një parti të re, me zor,duket se diçka po zien në kazanin socialist, por vetëm tymi nuk ka dalë  akoma në çatinë e PS-së.

  

SHKARKO APP