Partia Demokratike: 650 mln euro para publike, në dorë të një grupi kompanish
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli tha sot se “Kontrolli i Lartë i Shtetit ka identifikuar dëmin prej 2 miliard e 550 milion euro shkaktuar nga shkeljet gjatë procesit të prokurimit vetëm për 4 vitet e fundit , shifër kjo që do të dalë nga xhepat e shqiptarëve të thjeshtë”.
Në një deklaratë për shtyp, Vangjeli duke iu referuar një emisioni investigativ në lidhje me gjendjen e procedurave të prokurimit tha se “denoncimet e vazhdueshme të PD për këtë qëllim i vërtetojnë raportet e auditimit të KLSH apo kritikat e organizatave ndërkombëtare të reflektuara edhe në progres-raportin e fundit të Bashkimi Europian”.
“Sipas analizës së emisionit investigativ në bashkëpunim me Open Procurement dhe ekspertë të fushës, procedurat me vlerën më të madhe monetare për periudhën 2020-2023 në shumicën prej tyre janë kryer pa garë, pasi kompanitë ofertuese janë skualifikuar ose ka pasur pjesëmarrëse vetëm një ofertues duke monopolizuar fondet publike, tek një grusht kompanish dhe duke lënë jashtë procesit të prokurimit shumicën e operatorëve të tregut e aq më shumë kompanitë e huaja”, tha Vangjeli.
Sipas saj, nga të dhënat e përpunuara nga “Open Data Albania”, rezulton se vlera totale e tenderave me flamur të kuq është 72,3 miliardë lekë.
“Në 4 vite 650 milionë euro fonde publike janë paguar në favor të një grupi kompanish shpallur si fituese pa garë, të cilat fitojnë në mënyrë të përsëritur shumicën e tenderave dhe automatikisht gjenerojnë pjesën më të madhe të të ardhurave nga institucionet publike”, theksoi Vangjeli. /k.s/j.p/ ATSH