Partia Konservatore në pushtet në Britani pësoi humbje të madhe në zgjedhjet lokale

Partia Konservatore në pushtet në Britani pësoi humbje të madhe në zgjedhjet lokale të premten, duke forcuar më tej pritshmëritë se Partia Laburiste do të kthehet në pushtet pas 14 vjetësh. Zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar pritet të mbahen në muajt e ardhshëm.

Laburistët fituan kontrollin e këshillave lokalë në Angli ku për dekada nuk e kanë pasur shumicën dhe patën sukses në një zgjedhje të posaçme të pjesshme për parlamentin. Nëse ky rezultat do të përsëritej në zgjedhjet e përgjithshme, kjo do të çonte në një nga humbjet më të mëdha të konservatorëve.

Megjithëse rezultatet në përgjithësi janë një parashikim i zymtë për kryeministrin Rishi Sunak, partia e tij siguroi një sukses të rëndësishëm në verilindje të Anglisë. Kandidati i konservatorëve në Tees Valley arriti të rizgjidhet, ndonëse kjo u bë me një diferencë të vogël në vota. Fitorja e Ben Houchenit, i cili zhvilloi një fushatë duke bërë akuza personale, mund të jetë e mjaftueshme për të mbrojtur zotin Sunak nga revolta e mundshme e ligjvënësve konservatorë.

Për Keir Starmerin, udhëheqësin e Partisë Laburiste, këto rezultate janë të shkëlqyera. I vetmi rezultat negativ për laburistët erdhi nga Blackburn dhe Oldham në Anglinë veriperëndimore, zona këto me popullsi të madhe myslimane. Laburistët duket se u ndëshkuan si rezultat i qëndrimit të fortë pro-izraelit në lidhje me luftën në Gazë.

Laburistët fituan zgjedhjet e posaçme në Blackpool South, në veriperëndim të Anglisë, për një vend në parlamentin britanik të mbetur bosh. Kjo zonë ishte fituar nga konservatorët në zgjedhjet e fundit më 2019, kur kryeministri i atëhershëm Boris Johnson arriti sukses të madh në zonat që mbështetën daljen nga Bashkimi Evropian.

Në këtë garë, që u mbajt si rezultat i dorëheqjes të një ligjvënësi konservator pas një skandali lobimi, laburisti Chris Webb siguroi 10,825 vota, ndaj kundërshtarit konservator i cili mori 3,218 vota. Kjo rënie e përkrahjes për konservatorët me 26% është humbja e tretë më e madhe që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo do të ishte më se e mjaftueshme për të siguruar rikthimin e laburistëve në pushtet për herë të parë që nga viti 2010.

Zoti Starmer shkoi në Blackpool për të uruar kandidatin Uebb për suksesin dhe i kërkoi Kryeministrit Sunak të shpallte zgjedhjet. Kryeministri Sunak ka fuqinë të vendosë për datën e zgjedhjeve dhe ka thënë se ajo do të jetë në gjysmën e dytë të këtij viti.

“Ky ishte mesazh i drejtpërdrejt për Rishi Sunakun për të thënë se ne jemi të ngopur me kaosin dhe ndasitë e shkaktuara prej jush dhe ne duam ndryshim”, tha ai.

Zgjedhjet e së enjtes në një pjesë të madhe të Anglisë ishin të rëndësishme në vetvete pasi votuesit vendosën se kush do të drejtojëshumë aspekte të jetës së tyre të përditshme, si grumbullimi i plehrave, mirëmbajtja e rrugëve dhe parandalimi i krimit lokal, në vitet e ardhshme. Por me zgjedhjet e përgjithshme që po afrojnë, ato po shihen nga një prizëm kombëtar.

John Curtice, profesor në Universitetin ‘Strathclyde’, tha se rezultatet e deritanishme tregojnë se konservatorët po humbasin rreth gjysmën e vendeve që po përpiqen të mbrojnë.

“Ne jemi ndoshta duke parë një nga rezultatet më të këqija për konservatorët në zgjedhjet e qeverisjes vendore për 40 vitet e fundit”, tha ai për ‘BBC’.

Partitë e tjera, si Liberal Demokratët e qendrës dhe Partia e Gjelbër gjithashtu kanë shënuar rritje. Partia ‘Reform UK’, e cila po përpiqet të zëvendësojë konservatorët duke tërhequr votuesit e djathtë, arriti gjithashtu disa suksese, veçanërisht në Blackpool South, ku ishte më pak se 200 vota nga vendi i dytë.

Laburistët kanë fituar në zonat që votuan shumë për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian në vitin 2016 si Hartlepool në verilindje të Anglisë dhe Thurrock në Anglinë juglindore. Ajo mori gjithashtu kontrollin në Rushmoor, një këshill ku nuk ka fituar kurrë më parë.

Një rezultat pozitiv për konservatorët ishte ai në Tees Valley, e cila para Brexi-it kishte qenë një bastion tradicional i Laburistëve. Sidoqoftë, përqindja e votave të konservatorit Houchen shënoi rënie për 20 përqind nga viti 2021.

Kryeministri Sunak shpreson që Andy Street do të vazhdojë të mbetet kryebashkiak i West Midlands-it. Rezultati aty shpallet të shtunën. Gjithashtu të shtunën, pritet të shpallet edhe rezultati për Londrën, ku pritet të fitojë edhe një mandat tjetër Sadiq Khan i laburistëve.

Rishi Sunak u bë kryeministër në tetor të vitit 2022 pas mandatit jetëshkurtër të paraardhëses së tij, Liz Truss, e cila u largua nga posti pas 49 ditësh pas prezantimit të një buxheti me shkurtime të taksave që tronditën tregjet financiare dhe rriti kostot e huamarrjes për pronarët e shtëpive.

Udhëheqja e saj kaotike shtoi vështirësitë e konservatorëve pas udhëheqjes të paraardhësit të saj Boris Johnson, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen pasi u gjet fator se kishte gënjyer Parlamentin për shkeljen e kufizimeve në zyrat e kryeministrisë gjatë pandemisë së koronavirusin.

Të gjitha përpjekjet e zotit Sunak nuk kanë arritur të rrisin përkrahjen, ndërsa laburistët vazhdimisht janë 20 për qind përpara në sondazhe. Nëse rezultatet e zgjedhjeve lokale përkthehen në zgjedhje të përgjithshme, laburistët do të shënonin një fitore dërrmuese në të njëjtin nivel me atë të arritur nga Tony Blair më 1997.

Përballë kësaj humbjeje, ligjvënësit konservatorë britanikë mund të fillojnë të shqyrtojnë ndonjë kandidaturë tjetër për të zëvendësuar zotin Sunak, me shpresë se kandidati tjetër mund të ketë më shumë sukses./VOA/

SHKARKO APP