Partia qe i mungon Shqipnisë?!

Nga Nest Zefi-
Partia qe i mungon Shqipnisë?!
Kuvendi i fundit i partisë të Lulzim Bashës më rikthen në mendje disa ide të hershme, të cilat i kam shpreh me gojë e me shkrim, madje në nji periudhë të shkurtë angazhimit formal testues politik i kam jetue me koherencë dhe me shpresën operative të mbjedhjes në djerrinën otomane të kontekstit tonë politik e shoqnor. Tashma nuk ka ma iluzione; në Shqipni po thellohet deri në zhdukjen potenciale përfaqësimi i pjesës perëndimore të shqiptarëve në politikë, tue privilegjue haptazi riciklimin e modeleve të vjetra dështake, të cilat me pacipësinë sfiduese, shtihen si risi absolute..
Mbas ristrukturimit dhe konsolidimit të majtës ish komuniste, e cila përfaqëson krahun ortodoks dhe ateist, e djathta uzurpuese, e ndame përfundimisht me Kuvendin e Lulzim Bashës, bahet apoteoza e përfaqësimit të kontekstit otoman, tue thithë me kopili e dinakëri disa renegatë publike të komunitetit të papërfaqësuem katolikë.
Nji ndër komunitetet shtetformuese vendimtare të shtetit shqiptar nuk ka ma asnji përfaqësim politikë në lidershipin e partive politike kryesore, tue krijue premisat per nji skandal gjeopolitik në raport me Europën Perëndimore. Tirania e relativizmit që ka prek shtetet perëndimore, in primis Italinë dhe vetë Selinë e Shejtë, e cila përkthehet në injorancë gjeopolitike, tue mos valorizue avampostin e tyne kulturor e parimor, pra, komunitetin katolik, do të përftojë nji pengesë serioze për vendin drejt integrimit në Europë. Administrata amerikane, peng e lobeve perverse, ka vendosë që kujdestari jonë dhe vilajeteve arnaute, përfshi nji pjesë e Bosnjës të jetë Turqia dhe jo nji shtet evropian si psh Italia. Politika e Turqisë me luhatjet e saj të leverdisë gjeopolitike ndërmjet Amerikës e Rusisë por qartësisht e vendosun me çue përpara agjendën e islamizimit politik të Ballkanit, asht krejt komode me kuadrin politik shqiptar që po konturohet me Kuvendin e fundit të PD të vulës.
Mos të harrojmë se Turkia në kto 30 vite dhe sidomos ajo e Erdoganit ka ndërtue Xhamia e vatra të islamit politik ma shumë se sa janë ndërtue në 500 vjet të rregjimit otoman..
Prandej, analizat me karakter moralist apo militantist në politikën shqiptar dhe sidomos ndaj atyne që shkojnë mbas oportunizmit të Bashës, janë naivitet dhe humbje kohe e panevojshme si dhe shej i paaftësisë politike me e kundrue fenomenin në perspektivën e vet reale. Nëse Sali Berisha me mbështetjen e masonerisë të vet katundareske, ia ka dalë në kto 32 vjet me “xanë e zaptue me letra apo pa letra tokën” ku mund të ndërtohej ngrehina e nji të djathte autentike shqiptare, alternative ndaj të majtës, Lulzim Basha rrezikon ta trashigojë si dhuratë të rradhës këtë parcelë të paraardhësit të tij me ndihmën anglo-amerikane, tue ndrydh e fashitë fermentet e nji pluralizmi të shëndetshëm politik që realisht asht i pranishëm në vendin tonë.
Shkurt, ka ardhë koha dhe duhet medeomos edhe nji parti e katolikëve, mbas atyne të ortodoksëve dhe myslimanëve për të mirën e përbashkët të çdo qytetari shqiptar dhe atashimet vasale të ndonji katoliku të tredhun, janë thjeshtë nji gjethe fiku e papranueshme për komunitetin tonë. Realiteti plural shqiptar ka nevojë për organizma politikë dibamik dhe perfaqësues të ksaj natyre, krejt larg modeleve që janë afirmue në 111 vjet shtet shqiptar.
Teza lineare e parashtruame në kto rreshta sintetik, nuk asht sall politike lokale, e lidhun me drejtësinë e përfaqësimit, por kryekëput gjeopolitike në raport me ekuilibrat rajonal dhe të ardhmen e vendit tonë në Europën e kshtenë të popujve sovran.

SHKARKO APP