Pas akuzave të PD-së, mbërrin ilaçi për fëmijët e sëmurë me leuçemi
Pas denoncimit që Partia Demokratike i bëri mungesës të një medikamendi, i cili ju shërben fëmijëve me leuçemi, për të vazhduar jetën, mjekët pohuan se ilaçi ka mbërritur në spital. “Drejtoria na tha që ilaçi ka ardhur dje për nevojat e gjithë vitit. Kemi bërë sot kërkesën për marrjen e medikamentit “, tha një prej mjekeve të spitalit.
Lajmi është konfirmuar nga Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Albana Vokshi, e cila së bashku me deputen Albina Deda, vizituan sot spitalin e pediatrisë në QSTU, për të parë më nga afër situatën.
“Ky është një lajm i mirë. Më të fund pasi sensibilizimi ynë bëri të mundur ardhjen e ilaçit”, tha Vokshi. Deputetet demokratë konstatuan situatën e vështirë pasi prej muajsh prindërit me fëmijët e sëmurë nuk marrin medikamentin, duke bërë të pamundurën për ta siguruar atë privatisht e madje me kosto të lartë jashtë vendit. “Unë tani nuk di si ta bëj se e kam porositur privatisht ilaçin në dy vende. Nuk di ku ta çoj tani. E kam porositur vetë në Greqi”, tha një prind.
Kryetarja Vokshi u shpreh se mungesa e këtij ilaçi ka qenë një situatë e ndërlikuar pasi ministri, kishte bllokuar importimin. Deputetja Vokshi i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetime për këtë rast abuziv që ka lënë fëmijët e sëmurë pa ilaçe dhe i kërkoi kryeministrit të reagojë pas kaq muajsh heshtje.
“Unë do ti kërkoja Prokurorisë që ta hetonte këtë rast për të nxjerrë përgjegjësi para ligjit. Në të njëjtën kohë i bëj thirrje kryeministrit që të reagojë për herë të parë pas kaq muajsh sensibilizimi të bërë. Të reagojë e të urdhërojë ministrin e tij që të ndalojë bredhjet e tij nga një bregdet në tjetrin, por të kthehet e të firmosë blerjet e ilaçeve jo vetëm për këta fëmijë por për të gjithë pacientët shqiptarë sepse posti i asnjë kryeministri apo një ministri nuk duhet të ketë kosto kaq të larta humane. Jeta e çdo qytetari është shumë e rëndësishme për ne. Duhet të jetë e rëndësishme për kryeministrin jeta e këtyre fëmijëve”, tha Vokshi.
KOHA JONË SONDAZH

