Pas emisionit për Skënderbeun kërcënohet gazetarja Rudina Xhunga

Gazetarja Rudina Xhunga zhvilloi këtë javë një emision mbi debatin për Skënderbeun. Mes shumë reagimeve që ka marrë për të ftuarit dhe temën e trajtuar ka pasur dhe kërcënime të rënda në adresë të saj.

Ky fakt konfirmohet nga vet gazetarja në një shkrim ku jep dhe detaje mbi natyrën e kërcënimit.

Nga Rudina Xhunga

Pas emisionit për Skënderbeun, pata shumë mesazhe, shumica të pakënaqurish.

Të pakënaqur që kisha ftuar Imamin Armand Ali, të pakënaqur që dy profesorë, si Pëllumb Xhufi dhe Moikom Zeqo, flisnin përballë këtij imami, të pakënaqur që “i rrija me kurriz”  përfaqësuesit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke “shprehur hapur anshmërinë”, të pakënaqur që hoqa nga skenografia e studios sime Skënderbeun, të pakënaqur që kisha veshur fustan të kuq.

Secili ka të drejtë të jetë i pakënaqur dhe ta shprehë këtë, por e drejta e tij mbaron, kur shprehja e pakënaqësisë cenon, lëndon, dëmton, prek dhe vret tjetrin.

Sikundër mbaroi e drejta e një personazhi që zgjodha mes disave, të cilët më kërcënonin dhe masakronin në mesazhe.

Ky quhet Skënder. Jo SkënderBeu, por Skënder Ndosha. Është nga Fushë-Arrëza, jeton në Greqi, ku është i vetëpunësuar.

Më akuzon që po shes gjakun e të parëve të tij, që unë nuk ia njoh dhe pastaj i kthehet të parëve të mi, të vdekurve të mi, të gjallëve të mi dhe më sqaron gjerë e shtruar, fantazinë e tij për ç’do u bëjë atyre.

Skënder Ndosha, nga Fushë-Arrëza, që jeton në Greqi dhe është i vetëpunësuar, mund të jetë një prej 1000 mesazheve që erdhën. Nuk është e vërtetë që unë nuk i lexoj, nuk është e vërtetë që nuk më lëndojnë, nuk është e vërtetë që nuk më ndikojnë.

Dhe nuk është e vërtetë që ky është çmimi i të qenit publik  dhe mund ta lë veten të ma shenjojnë ditën, këta si ky. Ndaj të them Skënder Ndosha, që do të të padis, por jo në Fushë-Arrëz. Në Greqi, aty ku je i vetëpunësuar dhe jeton në FB tënde.

Nuk do të të mbyll faqe FB. Mbaje ta kesh. Unë kam kontribuar që ti të jetosh më mirë aty ky je, me gjithë emisionet e mia për shqiptarët e Greqisë.

Tani meqë i je vënë të gjallëve dhe të vdekurve të mi, unë vij e të gjej dhe të kërkoj deri në fund, ligjërisht. Dhe dua të jap një tjetër kontribut, për t’u treguar vendin, atyre si ty. Atyre si ty që guxojnë të hyjnë në varret e të dashurve dhe dhomat e fëmijëve me fjalët e tyre të ndyra, atyre si ty, që po i lamë, do vijnë edhe me armët e tyre. Dhuna nuk mbaron, kur të mbaroj unë, sepse unë vdes përditë, kur e lë dhunën të më pështyjë. Dhuna në fillim pështyn, pastaj vret.

Ndaj Skënder Ndosha nga Fushë-Arrëza dhe shokët e tij, duhet ta mendojnë mirë, kur guxojnë dhe lëshojnë të pëgërat e tyre në publik./dritare.net

SHKARKO APP