Pas goditjes nga tërmeti, fëmija preket nga zgjebja! Izolohet familja në Mamurras
Sikur të mos mjaftonte drama që po përjetojnë familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, mes tyre është shfaqur dhe sëmundja e zgjebes. Një rast i tillë është konstatuar në një nga hotelet e Shëngjinit ku janë të strehuar personat e ngelur të pastrehë nga tërmeti. Burime nga Njësia Vendore e Shëndetësisë në Lezhë bëjnë me dije se i prekuri nga kjo sëmundje infektive është një 5 vjeçar nga Mamurrasi.
Menjëherë pas konstatimit ai është izoluar dhe po merr mjekimin. Po ashtu janë izoluar edhe familjaret e 5 vjeçarit nga frika e përhapjes së sëmundjes edhe pse deri në këto momente ata nuk rezultojnë të jenë të infektuar. Bluzat e bardha bëjnë me dije se familja 4 anëtareshe nga Mamurrasi kanë qëndruar disa ditë në çadër dhe aty mendohet se është infektuar 5-vjeçari dhe kjo është vërtetuar edhe pas ekzaminimeve të bëra.
Zgjebja është një sëmundje infektive që shfaqet nga kushtet jo të mira higjieno-sanitare, por edhe përmes kontaktit të lëkurës. Duke nisur nga ky rast institucionet shëndetësore po monitorojnë të gjithë personat e prekur nga tërmeti që janë strehuar në zonën e Shëngjinit.
/Shqiptarja.com