Pas lirimit të Arben Frrokut nis publikimi i hetimeve në media

 

Prej dy ditësh media po publikon dokumenta të rëndësishëm të vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt. Një video e transmetuar në emisionin Xhungël të gazetarit Artan Hoxha tregon momentin e ekzekutimit të ish –drejtuesit të lartë të policisë, natën e 24 shkurtit të vitit 2013. Janë të paktën 4 dëshmitarë që gjenden vetëm pak metra larg makinave të vrasësit dhe viktimës. Njëri prej tyre që udhëtonte me një motoçikletë, madje përplaset me makinën e vrasësit. Të tjerë persona që nuk janë në rrezen e kameras e kanë parë ekzekutorin.

Në median e shkruar janë botuar sot dokumenta të tjerë që lidhin Enver Stafukën, personin që u arrestua si i dyshuar për vjedhjen e makinës tip BMW të përdorur në këtë vrasje, me Arben Frrokun, të dyshuarin kryesor të prokurorisë si autor të ekzekutimit. Enver Stafuka u la i lirë për mungesë provash. Në mënyrë të mistershme u zhduk më 10 shkurt të këtij viti kur proçesi gjyqësor ishte drejt përfundimit.

Në dokumentat e nxjerra nga dosja e prokurorisë që kanë përfunduar në media jepen detaje dhe prova të lidhjes që ekzistonte mes Arben Frrokut dhe Enver Stafukës. Por ato nuk u morën në konsideratë nga Gjykata e Durrësit që hetoi çështjen në ngarkim të Stafukës dhe bashkëpunëtorit të tij Gentian Bejtja, pasi Gjykata për Krimet e Rënda e ndau atë nga dosja “Frroku”.

 

Provat e prokurorisë

“Të pandehurit Gentian Bejtja dhe Enver Stafuka, përdorues të numrave 405 dhe 577, në datën 23.02.2013 janë takuar me njëri-tjetrin rreth orës 17:45. Në momentin e takimit të dy janë ndodhur nën mbulimin e qelizës jugperëndimore të antenës Larushk, e cila ndodhet në afërsi të fshatit Nikël, Krujë.

I pandehuri Enver Stafuka ka ardhur nga Fushë-Kruja, ndërsa i pandehuri Gentian Bejtja ka lëvizur nga zona e kthesës së Kamzës në Tiranë për në veri, në drejtim të fshatit Nikel Krujë”, thotë prokuroria. Fillimisht ka qenë Bejtja ai që i ka telefonuar Stafukës rreth orës 15:23 të datës 23 shkurt 2015, dhe më pas ka qenë Stafuka ai që ka kërkuar të takohen. “Lëvizja e të pandehurve nga Durrësi në drejtim të Kamzës është kryer me automjete dhe rruga e përshkruar ndjek të njëjtin itinerar, por koha e vendndodhjes së tyre, duke ju referuar një pike të caktuar paraqitet e zhvendosur me disa minuta, që do të thotë se ata kanë lëvizur me dy automjete të ndryshme njëri pas tjetrit”, thotë prokuroria. Sipas të dhënave nga kompanitë celulare rezulton se i pandehurit Enver Stafuka ka lëvizur para me makinën e vjedhur “BMË” dhe i pandehuri Gentian Bejtja ka qenë rreth 5-7 minuta larg tij me makinën e tij fuoristradë.

“Distanca kohore midis tyre vjen e ngushtohet nën mbulimin e qelizës verilindore të antenës “Autostrada NEË”, rruga për në Rinas, dhe takohen nën mbulimin e qelizës jugperëndimore të antenës Laknas. Të tre numrat, dy numrat e të pandehurve Enver Stafuka dhe Gentjan Bejtja 405 dhe 577 dhe numri i të dëmtuarit pronarit të makinës se vjedhur, F. L., i cili ka qenë në makinë, rreth orës 20:24 janë ndodhur njëkohësisht nën mbulimin e qelizës jugperëndimore të antenës Laknas. Ndërsa rreth orës 20.30 janë ndodhur nën mbulimin e qelizës verilindore të antenës Kamza City”, thotë prokuroria.

Lidhjet e Enver Stafukës dhe Gentian Bejtes me Arben Frrokun

“Nga tabulatet e marra për numrin e celularit në përdorim të shtetasit Gentian Bejta, rezulton se ai më datë 22.02.2013 në darkë (një ditë përpara vjedhjes së makinës) ka qenë në zonën e njohur si “Misto Mame”, në Tiranë”, thotë prokuroria. Duke analizuar tabulatet e shtetasit Enver Stafuka, prokuroria thotë se ky person ka patur disa komunikime me të njohur të Frrokut dhe nipit të tij, Jak Jaku.

“Nga analiza e tabulateve telefonike, se shtetasi Enver Stafuka me numrin e tij të celularit ka komunikime me persona të përbashkët me të pandehurin Arben Frroku. Stafuka në datat 20.02.2013 dhe 24.02.2013 ka komunikime me numrin celular 06857xxx dhe ky i fundit ka komunikime po në të njëjtën datë me numrin e celularit 0696003xxx, që i përket dëshmitarit Jak Jaku dhe ky i fundit ka komunikuar me të pandehurin Arben Frroku, me numrin e celularit 0692053xxx”, deklaroi prokuroria në pretencën ndaj Frrokut. Në konkluzionet ku u kërkua dënimi me burgim të përjetshëm i Arben Frrokut, përfaqësuesit e akuzës thanë se “Enver Stafuka në datë 23.02.2013, pas vjedhjes së makinës në Durrës, ka komunikime me numrin e celularit 0686325xxx, ky i fundit me numrin tjetër të celularit në posedim të tij, ka komunikuar me të pandehurin Arben Frroku më datë 24.02.2013, në orën 12:02”

Të gjitha këto të dhëna Gjykata e Durrësit nuk i ka konsideruar si prova që vërtetojnë autorësinë e Stafukës dhe Bejtes në vjedhjen e makinës që u përdor në atentat. Prokuroria e Durrësit e ka apeluar vendimin e saj për të lënë të lirë për mungesë provash dy të dyshuarit. Nga ana tjetër edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda ka apeluar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda që shpalli të pafajshëm Arben Frrokun, pasi rrëzoi dëshmitarin okular, F. Vladin. Pas këtij vendimi, dosja për vrasjen e kryekomisar Lamajt po bie pjesë – pjesë në duart e medias.

A është kjo një manovër e prokurorisë për t’i treguar publikut se ajo nuk ka asnjë përgjegjësi në vendimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, vendim që shkaktoi një valë reagimesh në opinionin publik, dhe se ajo e ka provuar me fakte se vrasësi është Arben Frroku? Përgjigjja e kësaj pyetjeje nuk është thelbësore për zbardhjen e vrasjes që juridikisht ka mbetur pa autor. Por ajo do të tregonte se edhe Prokuroria është po aq e befasuar sa opinioni publik për gjithçka ka ndodhur me hetimet e kësaj ngjarjeje, që nga veçimi i çështjes në ngarkim të Enver Stafukës, zhdukja e tij e mistershme, zhdukja e dëshmitarit tjetër, Ylli Memia, rrëzimi i dëshmtarit okular nga Gjykata dhe në fund shpallja i pafajshëm i Arben Frrokut.

SHKARKO APP