Pas përmbytjeve, aksion për pastrimin e kanaleve kulluese në Lushnjë
Përmbytjet e ndodhura gjatë muajit janar nxorën në pah gjendjen problematike të kanaleve kulluese në zonën e Myzeqesë, të cilat rezultuan të papastruara dhe jashtë funksionit. Mungesa e mirëmbajtjes ndër vite ndikoi drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës, duke bërë që sasi të mëdha uji të mbeteshin në tokat bujqësore dhe të shkaktonin dëme të konsiderueshme.
Aktualisht ka nisur ndërhyrja për pastrimin e kanaleve kulluese në zonën e Tërbufit, ku po punohet për rikthimin në funksion të kanaleve dytësore dhe terciare. Këto kanale ishin mbushur me mbetje, barishte dhe depozitime të ndryshme, duke penguar qarkullimin normal të ujit. Ndërhyrja synon përmirësimin e kullimit dhe parandalimin e përmbytjeve të ngjashme në të ardhmen.
Në zonën e Dushkut, përveç strukturave përgjegjëse, edhe vetë fermerët janë angazhuar drejtpërdrejt në aksionin e pastrimit, me qëllim mbrojtjen e tokave të tyre bujqësore. Sipas tyre, pastrimi i kanaleve është jetik për garantimin e prodhimit dhe shmangien e humbjeve ekonomike, veçanërisht në periudha me reshje intensive.
Aksioni për pastrimin e kanaleve kulluese do të shtrihet edhe në fshatra të tjerë të bashkisë Lushnje, përfshirë Gramshin, Thanasajn dhe Konjatin. Këto ndërhyrje vijnë pas përmbytjes së fushës së Tërbufit, e cila konsiderohet si zona bujqësore më e madhe e bashkisë dhe që u prek rëndë nga përmbytjet e janarit.
Si pasojë e daljes nga shtrati të lumenjve Seman dhe Shkumbin, rreth 3 mijë hektarë tokë bujqësore në gjithë territorin e Lushnjës u dëmtuan rëndë. Sipërfaqet e përmbytura ishin të mbjella kryesisht me grurë, jonxhë dhe kultura të tjera bujqësore, si dhe disa serra diellore, duke sjellë humbje të ndjeshme për fermerët e zonës.
KOHA JONË SONDAZH

