Pas publikimit të videos së dhunës, 19-vjeçarja mbetet në burg
Gjykata e Fierit ka lënë në fuqi masat e sigurisë të vendosura ndaj tri vajzave të dyshuara për përfshirje në dhunimin e një 17-vjeçareje, një rast që ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik dhe ka rikthyer vëmendjen te dhuna mes të rinjve.
Gjatë seancës së zhvilluar për verifikimin e masave, trupi gjykues pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke vlerësuar se masat e marra më herët ishin të përshtatshme me rrethanat e çështjes dhe me rolin e secilës prej të dyshuarave në ngjarje.
Për 19-vjeçaren Lionela Lamaj, e cila dyshohet se ka pasur një rol aktiv në episodin e dhunës, u konfirmua masa e sigurisë “arrest me burg”. Gjykata vlerësoi se kushtet ligjore për mbajtjen e saj në paraburgim vijojnë të jenë të pranishme.
Sa i përket dy të miturave 15-vjeçare të përfshira në hetim, për njërën u la në fuqi masa “arrest në shtëpi”, ndërsa për tjetrën u vendos shtrimi i përkohshëm në një institucion psikiatrik, në përputhje me vlerësimet mjekësore dhe nevojën për trajtim të specializuar.
Sipas autoriteteve, vendimet janë marrë duke pasur parasysh moshën e të dyshuarave, gjendjen e tyre individuale dhe nivelin e përfshirjes së secilës në ngjarjen e hetuar. Këto elemente janë konsideruar thelbësore për përcaktimin e masave të sigurisë.
Ndërkohë, Prokuroria e Fierit vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e episodit dhe për të dokumentuar përgjegjësitë e secilës prej personave të përfshirë. Çështja mbetet nën hetim, ndërsa pritet që në vijim të dalin detaje të tjera lidhur me ngjarjen që ka tronditur opinionin publik.
KOHA JONË SONDAZH

