Pas zgjedhjeve fillon seria e vrasjeve dhe trafiqeve

Gjatë javëve të fundit Shqipëria është tronditur nga një seri vrasjesh të karakterit mafioz në qytete të ndryshme të vendit. Në Elbasan, një prej qyteteve që shënohet si zona me e nxehtë e përplasjeve kriminale, në javën e parë të muajit maj përplasjet mes grupeve sollën viktimën e radhës, i cili u ekzekutua në sy të gruas. Në Shkodër, një tjetër qytetet problematik për konflikte mes bandave, një tjetër i ri u vra në mënyrë makabre një javë më parë. Nga Vlora, qyteti që pret të nisë sezonin turistik, të vetmet lajme që vijnë janë vrasjet, plagosjet dhe konfliktet e armatosura. Brenda pak ditësh në këtë qytet kanë ndodhur dy ekzekutime të stilit mafioz. Vrasja e parë më 10 maj, u krye në mes të ditës dhe në një zonë ku autorët e dinin se filmoheshin nga kamerat e sigurisë duke dashur të japin një mesazh force. Ndërsa katër ditë më parë, një tjetër ekzekutim i një të riu në mes të qytetit  tregoi se situata e rendit në vend ka dalë totalisht nga kontrolli i policisë. Krahas vrasjeve dhe plagosjeve që nuk mungojnë çdo ditë, me po të njëjtin intensitet ka nisur dhe trafiqet e lëndëve narkotike. Dje në Vlorë u sekuestrua një sasi prej 500 kg hashash. Droga ishte paketuar për t’u nisur drejt Italisë dhe operacioni për policinë shqiptare ishte udhëzuar nga autoritet e policisë italiane. Pak ditë më parë nga Porti i Durrësit kaluan rreth 400 kilogramë kokainë dhe sasia u kap në Kosovë. Ndërkohë çdo ditë, ka raportime për sasi më të vogla hashashi dhe kokaine që sekuestrohen në operacione të ndryshme nga ana e policisë. Gjithë këto ngjarje të rënda të ndodhura në zona të ndryshme të vendit kanë diçka që i bashkon. Të gjitha aktet kriminale janë shtuar pas zgjedhjeve të 25 prillit. Sigurisht nuk janë vrasje që lidhen me politikën, por marrin nxitje nga zhvillimet politike. Duket se jo rastësisht vrasjet mafioze nisën një javë pas datës së zgjedhjeve, kur u kuptua se nga kish anuar fitorja. Konfirmimi i mandatit të tretë të kësaj qeverie, u ka dhënë zemër bandave ekzistuese që të nisin larjet e hesapeve mes tyre. Nuk është më sekret dhe këtë e thonë një pjesë e raporteve ndërkombëtare se segmente të krimit kanë arritur të korruptojnë institucione të rendit dhe sigurisë publike. Pas zgjedhjeve, kur emërimi i shefave dhe linjat e marrëveshjeve politike kriminale janë konfirmuar sërish, përfaqësuesit e bandave kanë nisur të nxitojnë për larjen e hesapeve. Ato banda që kanë pasur lidhje me strukturat shtetërore dhe që tashmë kanë marrë garanci dhe për 4 vite të tjera se nuk do të preken, kanë nisur të eliminojnë rivalët e tyre. Garancia që kanë marrë para dhe gjatë fushatës për aktivitetin e tyre i ka bërë që të hidhen në sulm. Ndaj këto ditë qytetet e Shqipërisë kanë qenë si Palermo shekullit të kaluar, ku ligjin nuk e bënte shteti por mafia dhe organizatat kriminale.  Si në çdo përplasje mes krimit edhe në Shqipëri sherret bëhen për pazare të prishura apo për zotërim të territorit. Vlora, Elbasani dhe Shkodra janë qytetet ku grupet kriminale luftojnë më shumë për territor, për shkak dhe të pozicionit gjeografik të këtyre zonave. Krimi është më i madh në këto qytete, sepse trafiqet kriminale janë më të fitimiprurëse. Në gjithë raportet e agjencive të huaja Shqipëria është në listën e zezë për rritjen e trafikut të drogës dhe hyrjen e organizatave kriminale nga ky vend në linjat ndërkombëtare të trafikut të drogës. Kjo do të thotë se pazaret me kokainën, heroinën bëhen nga bandat shqiptare në shtete të tjera, por hesapet dhe përplasjet bëhen në Shqipëri.

Ajo që është shqetësuese në ngjarjet e fundit kriminale është se thuajse të gjitha janë pa autor. Policia nuk ka arrestuar asnjë prej personave që shkrepën këmbëzën e armës dhe as drejtuesit e trafiqeve për rastet kur është kapur drogë.

Përditë e me tepër do kemi situatë terrori sipas parimit të kryeministrit që “bandat, kokat e njeri tjetrit hëngshin!”. Por po e ha populli dhe jo ata politikanë e zyrtarë që mbajnë e financojnë bandat kriminale.

Mili Xhani

 

SHKARKO APP