Pasagjeri shqiptar rrëfen tmerrin në tragetin që digjej në Adriatik

Shqiptari Sokrat Qendro, është një prej të mbijetuarëve nga tmerri “Norman Atlantic”. Ai tregon orët e frikës dhe panikut që pushtuan pasagjerët e tragetit që mori flakë të dielën.

47-vjeçari shqiptar me dokumenta italiane, i cili jeton në Itali prej vitesh, thotë se askush nga stafi i tragetit nuk u erdhi në ndihmë pasagjerëve, duke i lënë për orë të tëra pa ndihmë, derisa mbërritën skuadrat e para të shpëtimit.

“Kur nisi operacioni i shpëtimit ishte efiçent, por problemi ishte përpara. Nga ora tre e mëngjesit e deri në mesditë, nuk dëgjuam asgjë e nga askush. Asnjë nuk na thoshte çfarë të bënim e çfarë të mos bënim, por na lanë në dorë të fatit. Pastaj nga momenti që erdhi ndihma gjërat ndryshuan. Por deri në atë moment, isha unë dhe dy djem të tjerë që po përpiqeshim të organizonim dhe ndihmonim njerëzit” – thotë Qendro. I mbijetuari tregon se ka dalë nga kabina e tij vetëm pasi kishte dëgjuar të tjerët duke u larguar: “Dëgjuam njerëz që ulërisnin dhe vraponin duke dalë nga kabinat e tyre kështu që dola dhe unë. Pastaj pamë tymin që dilte, mora jelekun që ishte poshtë krevatit dhe më pas dolëm të gjithë jashtë në kuvertë me atë që kishim veshur në trup. Jashtë ishte errësirë dhe nuk shihej asgjë, ujë nga të gjitha anët”.

Operacioni i shpëtimit ka përfunduar me kaos për numrin e viktimave, pasi dhjetëra emra nuk figuronin as në listën e të shpëtuarve as në të viktimave, diçka që autoritetet italiane po përpiqen të verifikojnë sa më shpejt. 

SHKARKO APP