“Pashë të rrëshqisnin lotë në faqen e policit”/ Ambasadori i parë i SHBA-ve në Shqipëri kujton momentet e vizitës në Tiranë: Baker tha “ne jemi me ju dhe…”

Ambasada e SHBA-ve ka zgjedhur që të urojë sot 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Amerikë, përmes mesazhit të ish-ambasadorëve në vendin tonë.

Ambasada Amerikane në Tiranë u hap në 1 Tetor 1991 dhe Ambasadori i parë i ShBA në Shqipëri ishte William Edwin Ryerson, i cili i paraqiti letrat kredenciale qeverisë së Shqipërisë në 21 Dhjetor 1991.

Ndërsa kujton momentet prekëse të vizitës në Tiranë, ish-ambasadori rrëfen një moment prekës, ku pas fjalës së mbajtur nga ish-Sekretari Amerikan i Shtetit James Baker, ku ai tha: “Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”, pa të rrëshqiste një lot në faqen e policit shqiptar.

Ambasada amerikane në Tiranë bën me dije se përgjatë kësaj jave do të postojë të tjera mesazhe të ish-ambasadorëve amerikanë në Shqipëri.

Mesazhi i plotë

Teksa festojmë 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, është mirë të kujtojmë veprimet e ndërmarra nga zyrtarë në të dyja vendet tona, të cilat e bënë atë të mundur. Ndërsa Shqipëria nisi të dilte nga makthi i saj kriminal i vetëimponuar stalinist, njerëz të guximshëm atje lëvizën për ta bërë atë rilidhje të mundur.

Po ashtu, në Shtetet e Bashkuara, zyrtarë të mençur në Departamentin e Shtetit dhe vende të tjera të administratës sonë, vendosën të lënë mënjanë dekada të tëra fyerjesh të drejtuara ndaj nesh, dhe gjithashtu të shfrytëzonin hapësirën.

Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës luajti një rol kritik, qoftë në përcjelljen e informacionit të saktë në Shqipëri, ashtu edhe në monitorimin e zhvillimeve atje dhe ndarjen e atij informacioni me Uashingtonin. Ekipi i parë i përfaqësuesve të SHBA mbërriti në Tiranë përpara zgjdhjeve të para pluraliste, në mars 1991. Unë mbërrita në fund të prillit, me qëllimin për të ndenjur një apo dy muaj, derisa stafi i përhershëm i Ambasadës të zgjidhej dhe të caktohej. Ditën e nesërme pas ardhjes sime, shkova për një takim kortezie në Ministrinë e Jashtme. Kur atje më thanë se nuk do të lejohesha të ndiqja seancat e Parlamentit, unë protestova. Kur kjo nuk pati efekt, i thashë bashkëbiseduesit tim se qeveria ime protestonte. Sërish, nuk pati efekt të menjëhershëm. Megjithatë, mëngjesin e nesërm, mora një telefonatë e cila më njoftonte se mund të merrja pjesë dhe se mund të merrja edhe përkthyesin tim me vete. Arrita në përfundimin se aty ku mund të kishte ndopak rezistencë, do ia vlente të shtyja për ta kapërcyer.

Gjatë kohës sime, gjatë fillimit të kohës sime, teksa punonim në një dhomë hoteli, unë u bëra dëshmitar i mirëpritjes së jashtëzakonshme që iu bë Sekretarit Baker gjatë vizitës së tij në qershor të 1991-it. Edhe pse shërbeva aty deri në tetor të 1994-ës, pas dhjetorit 1991 me titullin Ambasador, një nga momentet më domëthënëse ndodhi gjatë vizitës së Baker. Teksa Sekretari po fliste, unë po qëndroja, siç duhej, pranë makinave të autokolonës, pas një polici të gjatë dhe të vrazhdë.

Ndërsa Baker tha, “Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne”, pashë një lot të rrëshkiste në faqen e atij polici. Shumë shqiptarë, rreth 10% e popullatës së vendit, ishin atë ditë në sheshin Skënderbej për të përshëndetur ardhjen e tij. Ata treguan vetë se më në fund mund të mblidheshin për diçka tek e cila besonin, në vend që të dilnin të urdhëruar nga autoritetet vendase. Ndikimi politik i kësaj ishte mahnitës. Pati shumë ndryshime në Shqipëri gjatë tri viteve e gjysëm të mia aty, pjesa më e madhe e të cilave por jo të gjitha, ishin për mirë. Katërqind vjet pushtim i huaj dhe gjysëm shekulli vetë-izolim duan shumë punë për t’u zhbërë. Demokracitë, përfshirë edhe tonën, janë gjithnjë punë në zhvillim e sipër. Nuk pati kurrë asnjë dyshim se të dyja vendet tona ndanin të njëjtat shpresa për një Shqipëri të lirë dhe të përparuar, në paqe me fqinjët e saj. Në shumë biseda me figura politike në Tiranë, ishte e qartë se interesat e SHBA dhe Shqipërisë nuk përplaseshin në asnjë pikë. I kam ndjekur zhvillimet në Shqipëri prej daljes sime në pension dhe, nga sa shoh, vazhdoj të jem i bindur se Shqipëria është në rrugën e duhur. Pengesa, përfshirë edhe fatkeqësi natyrore, është e pashmangshme që të ndodhin. Por unë jam i sigurtë se falë bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm e reciprok, ato do të kapërcehen. Uroj suksese të mëtejshme në rrugën e vështirë drejt demokracisë! Mirëudëgjofshim!

SHKARKO APP