Pasiguria ushqimore/ Shqipëria, vendi më i pambrojtur në Europë, dëm kolosal në ekonomi!
Hendeku mes nevojës për siguri ushqimore dhe kapacitetit në Shqipëri është tepër i lartë, vlerëson Banka Botërore, në një raport të fundit. Sipas këtij raporti, në drejtim të hendekut, Shqipëria është e gjashta në botë, mes vendeve me të ardhura te mesme dhe të ulëta. Pra, vendet që e vuajnë më së shumti problematikën e sigurisë ushqimore. Madje, Shqipëria rezulton të jetë vendi më i pasigurtë në Europë në drejtim të sigurisë ushqimore për produktet shtazore. Asnjë vend tjetër në kontinentin e vjetër, e as në Ballkanin Perëndimor nuk ka një diferencë kaq të madhe sa Shqipëria mes nevojave dhe kapacitetit, çka do të thotë se mungesa e sigurisë ushqimore është alarmante.
Një tjetër indikator, ai i kapaciteteve të sigurisë ushqimore për produktet shtazore e rendit Shqipërinë në vend të fundit në Europë, me një indeks në thuajse 40 pikë. Për vende si Serbia, ky indeks fiksohet në mbi 75 pikë. Kjo do të thotë se, nuk janë vetëm nevojat të larta, por edhe kapacitetet mjaft të dobëta për t`i bërë ballë sigurisë ushqimore, që sipas Bankës Botërore është një emergjencë, që i shkakton vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme rreth 110 miliardë dollarë dëm çdo vit. Mungesa e sigurisë ushqimore çon në produktivitet më të ulët si dhe kosto të larta për trajtime mjekësore, duke qenë se një sërë sëmundjesh e kanë pikërisht këtu zanafillën. Por, në tërësi, në indeksin e kapacitetit të sigurisë ushqimore, pra për çdo lloj ushqimi dhe jo vetëm ato me bazë shtazore, Shqipëria ka një performancë bindshëm më të mirë.
110 mld USD humbje çdo vit
Studimi i ri i Bankës Botërore zbulon se ndikimi i ushqimit të pasigurt kushton rreth 110 miliardë dollarë në produktivitetin e humbur si dhe në formën e shpenzimeve mjekësore, çdo vi, në vendet me të ardhura të mesme të të ulëta. Megjithatë, një pjesë e madhe e këtyre kostove mund të shmangen duke miratuar masa parandaluese që përmirësojnë mënyrën se si ushqimi trajtohet, që nga ferma e deri të pjata në tavolinat tona. Menaxhimi më i mirë i sigurisë së ushqimit do të kontribuonte ndjeshëm në arritjen e shumë qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht ato që lidhen me varfërinë, urinë dhe mirëqenien. Sëmundjet me origjinë nga ushqimi i keq ishin rreth 600 milionë në 2010, ndërkohë që raportohen 420,000 vdekje të parakohshme sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo barrë globale e sëmundjes, që vjen nga ushqimi është shpërndarë në mënyrë të pabarabartë. Vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme në Azinë Jugore, Azinë Juglindore dhe Afrikën sub-Sahariane bartin një barrë relativisht të lartë. Ato përbëjnë 41 për qind të popullsisë botërore, por 53 për qind të të gjitha sëmundjeve që vijnë nga ushqimi dhe 75 për qind të vdekjeve të lidhura me të. Ushqimi i pasigurt kërcënon më shumë fëmijët e vegjël: megjithëse fëmijët nën moshën 5 vjeç përbëjnë vetëm 9 për qind të popullsisë botërore, ata përbëjnë pothuajse 40 për qind të sëmundjeve ushqimore dhe 30 për qind të vdekjeve të lidhura me ushqimin jo të sigurt.
Hapat që duhen ndërmarrë
Përshpejtimi i progresit në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme tregon këto statistika të zymta në terma ekonomikë dhe kërkon vëmendjen e qeverive si dhe investime më të mëdha apo edhe korniza më të mira rregullatore, apo masa që nxisin ndryshimin e sjelljes. Humbja totale e produktivitetit, e lidhur me sëmundjet që vijnë nga ushqimi në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, vlerësohet të kushtojë 95,2 miliardë dollarë amerikanë në vit, ndërsa kostoja vjetore e trajtimit të sëmundjeve ushqimore vlerësohet në 15 miliardë dollarë. Shpenzimet e tjera, megjithëse janë më të vështira për të përcaktuar sasinë, përfshijnë humbjet e shitjeve të fermave dhe të kompanive, të ardhurat e ulëta tregtare, pasojat shëndetësore të shmangies së konsumit të ushqimeve të prishura ende të pasura me lëndë ushqyese si dhe barrën mjedisore të mbeturinave ushqimore.
“Siguria e ushqimit merr vëmendje relativisht të vogël politike dhe nuk ka burime të mjaftueshme. Veprimi normalisht është reagues ndaj shpërthimeve të mëdha të sëmundjeve me origjinë ushqimore ose ndërprerjeve tregtare “, thotë Juergen Voegele, Drejtor i Përgjithshëm i Praktikës Globale të Ushqimit dhe Bujqësisë në Bankën Botërore. “Duke u përqendruar më mirë në sigurinë e ushqimit, vendet mund ta forcojnë konkurrencën e fermerëve të tyre dhe industrinë ushqimore dhe të zhvillojnë kapitalin e tyre njerëzor. Në fund të fundit, ushqimi i sigurt është thelbësor për të ushqyer një fuqi punëtore të shëndetshme, të arsimuar dhe të qëndrueshme”, tha ai. Për shumë vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ndryshimet e shpejta demografike dhe dietike, kontribuojnë në ekspozimin më të gjerë të popullsisë në rreziqet që burojnë nga ushqimi, duke u përhapur edhe më tej nëse nuk ka aftësi mbizotëruese për të menaxhuar rreziqet e sigurisë ushqimore. Studimi tregon se hendeku është më i theksuar “në mes të paketës”, domethënë midis vendeve me të ardhura të mesme dhe të ulëta dhe ofron rekomandime të synuara për t’i adresuar këto probleme.
“Qeveritë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, jo vetëm duhet të investojnë më shumë në sigurinë e ushqimit, por edhe të investojnë më mirë”, thotë Steven Jaffee, Ekonomist i Bujqësisë në Bankën Botërore dhe bashkautor studimi. “Kjo do të thotë të investosh në njohuritë themelore, burimet njerëzore dhe infrastrukturën; realizimi i sinergjive midis investimeve në sigurinë ushqimore, shëndetin e njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit dhe duke përdorur investimet publike për të nxitur investimet private.
Studimi gjithashtu mbështet një ndryshim në qasjet ndaj rregullimit të sigurisë ushqimore. Qasja tradicionale përqendrohet në zbatimin e pajtueshmërisë rregullatore, përmes testimit të produkteve dhe inspektimeve të objekteve ushqimore, si dhe aplikimit të ndëshkimeve ligjore dhe financiare për shkelje. Theksi kryesor është i nevojshëm të vihet në sigurimin e informacionit dhe burimeve të tjera për të motivuar dhe fuqizuar operatorët e sektorit të ushqimit për t’u pajtuar me rregulloren e sigurisë në këtë drejtim. “Rezultatet e rregullimit duhet të maten në aspektin e ndërmarrjeve të pajtueshme, konsumatorëve të sigurt dhe rezultateve të sigurisë ushqimore, sesa mbi bazën e numrit të gjobave apo mbylljeve të biznesit”, thotë Jaffee.
/ SCAN Magazine