”Pasqyra e Çmimeve”, Rama tregon nismën e re: Një sërë produktesh me çmime të pandryshuara deri më 12 janar
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, të cilat synojnë të lehtësojnë përballimin e kostove për qytetarët në kushtet e rritjes së çmimeve. Nisma është ndërmarrë në bashkëpunim me pesë subjekte të rëndësishme të tregtisë ushqimore në vend. Sipas kryeministrit, marrëveshja parashikon mbajtjen e pandryshuar të çmimeve për një sërë produktesh deri më 12 janar të vitit të ardhshëm.
Aktualisht, në platformën “Pasqyra e Çmimeve” janë përfshirë 200 artikuj, ndërsa objektivi i qeverisë është që kjo shifër të arrijë në 1 mijë produkte deri në fund të vitit. Gjatë prezantimit, Rama u shpreh se përballë rritjes së përgjithshme të kostove, është e nevojshme që bizneset dhe konsumatorët të gjejnë pika bashkëpunimi për të ndihmuar veçanërisht familjet që përballen me vështirësi ekonomike.
Kreu i qeverisë rikujtoi se legjislacioni në fuqi parashikon gjoba për rastet kur konstatohen çmime spekulative, por theksoi se synimi kryesor është që nisma të funksionojë përmes bashkëpunimit dhe angazhimit vullnetar të subjekteve tregtare.
Me zgjerimin e numrit të produkteve të përfshira, platforma synon t’u japë konsumatorëve më shumë mundësi për të krahasuar çmimet dhe për të orientuar shpenzimet e tyre, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë ndikimi konkret do të ketë nisma në buxhetet familjare.



