Pastdebati Trump – Harris, republikanët të shqetësuar për performancën e 78-vjeçarit që do t’i përfaqësojë
Republikanët kanë shprehur shqetësimet e tyre pas debatit presidencial të së martës mbrëma midis ish-presidentit Donald Trump dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris, sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Prolific.
Gjatë debatit, ku Trump dhe Harris diskutuan çështje të rëndësishme si ekonomia, aborti dhe emigracioni, 86 për qind e votuesve republikanë konfirmuan se ende planifikojnë të mbështesin kandidatin e tyre. Megjithatë, 40 për qind e tyre pranuan se ishin të shqetësuar për performancën e Trumpit, i cili tashmë është 78 vjeç, sipas raportimeve të Newsweek.
“Këto rezultate tregojnë një ndryshim të rëndësishëm në ndjenjat e votuesve, me shumë republikanë që shprehin shqetësim, pavarësisht mbështetjes së tyre të vazhdueshme për Trumpin. Performanca e fortë e Kamala Harris ka marrë vlerësime pozitive nga votuesit e të dyja palëve,” tha Andrew Gordon, një konsulent i lartë kërkimor në Prolific.
Vetëm 16 për qind e republikanëve e vlerësuan performancën e Trumpit si të shkëlqyer, ndërsa 24 për qind e tyre menduan se Harris kishte bërë një performancë të shkëlqyer ose të mirë. Po aq përqindje republikanësh menduan se Harris kishte dalë fituese nga debati.
Në total, 57 për qind e të anketuarve e shpallën Harris si fituese të debatit.
Komentet e Trumpit që u pritën më me kritika përfshinin refuzimin për të dhënë një përgjigje të qartë nëse do të vendoste veto ndaj një ndalimi kombëtar të abortit, dhe deklaratën se kishte “koncepte” për një plan të kujdesit shëndetësor.