Pasuria e Gjin Gjonit sipas BIRN dhe reagim i tij në Syri.net
Rihapet dosja e Gjin Gjonit, por gjyqtari mbrohet me vendim gjykate
Nga Besar Likmeta.
Çështja e pasurisë së gjyqtarit Gjin Gjoni është rihapur, pas mbërritjes në Shqipëri të dokumenteve të reja hetimore nga Gjermania dhe Franca. Megjithatë, hetimet e reja nuk dihet nëse do të përfshijnë gjyqtarin apo vetëm persona të tretë, për shkak të vendimeve të debatueshme të gjykatave mbi këtë dosje.
Riaktivizimi i hetimeve për dosjen “Gjoni” u konfirmua për BIRN nga drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina, pas një kërkese për të drejtë informimi.
Sipas prokurorit të Elbasanit, çështja e pezulluar më parë për veprat penale të “falsifikimit të dokumenteve” dhe “fshehjes së pasurisë” u rihap pas mbërritjes së akteve të reja, të dërguara nga autoritetet gjyqësore kompetente të shteteve të Gjermanisë dhe Francës.
“Nga shqyrtimi i akteve të sjella nga organet kompetente të drejtësisë së shtetit të Gjermanisë është konstatuar se ka pasur vend për vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve lidhur me faktet e përmendura në kallëzimin penal,” u përgjigj prokurori Gina.
Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Gjin Gjoni u kallëzua penalisht në vitin 2014 nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për fshehjen e burimeve të pasurisë së tij familjare, që sipas ILDKPKI vlerësohej në rreth 2 milionë dollarë si dhe për falsifikim dokumentesh. Pjesë e kallëzimit ishin dhe disa notere të dyshuara gjithashtu për falsifikim dokumentesh.
Në maj 2014, çështja i kaloi Prokurorisë së Elbasanit, e cila regjistroi procedimin penal me nr: 1098 për dy veprat penale.
Më 20 prill 2015, Prokuroria e Elbasanit pushoi ndjekjen penale në ngarkim të Gjonit dhe bashkëshortes së tij, ndërsa dosja ka vazhduar të qëndrojë në hetim pa autorë, në pritje të letër-porosive nga Franca dhe Gjermania.
I kontaktuar nga BIRN, gjyqtari Gjin Gjoni pretendoi se hetimet kundër tij dhe bashkëshortes nuk mund të rihapen, pasi janë mbyllur me vendim gjyqësor të formës së prerë.
“Çështja shtrohet a ka vepër penale për noteren?,” argumentoi Gjoni.
“Letër-porosia që ka ardhur përputhet tërësisht me deklarimet e dhëna dhe deklaron që kanë kaluar shumat që janë pretenduar si të paqena. Nëse do të kishte rihapje dosjeje, dosja do të ishte në Elbasan dhe jo në Tiranë, por mund të jetë për persona të tjerë,” shtoi ai.
Prokuroria e Elbasanit i tha BIRN se hetimi i mëtejshëm i ka kaluar për kompetencë dhe po ndiqet nga Prokuroria e Tiranës.
Por drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha sqaroi se çështja është sjellë nga Prokuroria e Elbasanit vetëm për një notere, ndërsa ajo po shqyrtohet në kuadrin e kompetencave.
“Ne po e shqyrtojmë dokumentacionin që na ka ardhur në kuadër të kompetencave, sepse nuk mund të kryejmë hetime për gjyqtarë dhe prokurorë që kryejnë funksionin e tyre në rrethin e Tiranës. Nuk është marrë ende vendim nëse do ta mbajmë këtu apo do ta kthejmë mbrapsht në Elbasan”, tha Fusha për BIRN.
Prokuroria e Tiranës po shqyrton nëse provat e reja implikojnë edhe gjyqtarin Gjoni. Në këtë rast, çështja do t’i rikthehej sërish për kompetencë Prokurorisë së Elbasanit.
Kallëzimi i ILDKPKI-së u shoqërua me akuza politike për shkak të pozicioneve kyçe që Gjin Gjoni mban në sistemin e drejtësisë si gjyqtar i Gjykatës së Apelit, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe së fundmi edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor.
Çështja mbeti në vobullën e debatit publik edhe për shkak të betejës ligjore midis prokurorisë dhe gjyqtarit Gjoni për afatet hetimore.
Pas regjistrimit të procedimit penal në vitin 2014, Prokuroria e Elbasanit kërkoi disa herë zgjatjen e afateve hetimore me argumentin se ishte në pritje të ardhjes së letër porosive nga Gjermania dhe Franca.
Gjoni dhe Çaushi e ankimuan në gjykatë zgjatjen e hetimit.
Në përgjigje të ankesës së tyre, Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan me vendimin Nr. 1482 caktoi si afat përfundimtar të hetimeve datën 12 shkurt 2015. Prokuroria e apeloi këtë vendim në Gjykatën e Apelit të Durrësit, e cila me 17 mars 2015 vendosi të lërë në fuqi mbylljen e hetimeve, me argumentin se “fakti nuk ekziston”.
Ky vendim u lë në fuqi dhe nga ana e Gjykatës së Lartë, ç’ka sipas gjyqtarit Gjoni e bën nul çdo hetim të ri kundër tij dhe bashkëshortes.
E kontaktuar nga BIRN, Prokuroria e Përgjithshme nuk komentoi mbi çështjen duke u shprehur se pas ndryshimeve të fundit kushtetuese nuk kishte më autoritet mbi prokuroritë e rretheve gjyqësore.
“Prokuroria e Përgjithshme nuk komenton çështjet që administrohen nga prokuroritë e rretheve,” tha Albi Serani, zëdhënës i Prokurorisë së Përgjithshme.
Reagim i Gjin Gjonit:
Gjin Gjoni ka reaguar pas lajmit të “Zërit të Amerikës” dhe “BIRN” se ndaj gjyqtarit është hapur përsëri çështja e pasurisë.
Në një prononcim ekskluzivisht për SYRI.net, gjyqtari Gjin Gjoni thotë se ky lajm është një shpifje pasi çështja është mbyllur me vendim të formës së prerë. Ai thotë gjithashtu se ndaj dy mediave, pra ndaj “Zërit të Amerikës” dhe “BIRN” do të bëjë padi për shpifje.
Për “BIRN”, Gjin Gjoni është i të njëjtit mendim ashtu si kryeparlamentari Ilir Meta, se është një media që financohet nga filantropi i majtë amerikan George Soros.
“Padi për shpifje ndaj dy mediave. Nuk është hapur asnjë çështje, vendimi është i formës së prerë dhe “BIRN” është një media e sponsorizuar nga Soros, edhe sipas kryeparlamentarit Meta.
Duket se sot gjatë gjithë ditës media të kontrolluara dhe të krijuara, brenda 24 orëve po dizinformojnë për të “peshkuar” mediat online në funksion të pastrimit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët që nuk i kanë nën kontroll”, tha gjyqtari Gjin Gjoni për Syri.net.
KOHA JONË SONDAZH

