Patozi tjetër poezi për Olldashin: “Dita fillon në nëntë e çerek”
Deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi i ka kushtuar një poezi ish-ministrit të ndjerë dhe mikut të tij Sokol Olldashi. Ndonëse jemi mësuar ta shohim me kostumin e politikanit, edhe këtë herë Patozi shfaq një tjetër anë të brishtë të tij, duke ndarë disa kujtime për mikun e tij, Olldashin.
Ditën e djeshme Astrit Patozi, postoi në rrjetet sociale një këngë kushtuar mikut të tij, të cilën e kishte shkruar vetë ai dhe e këndonte po vetë ai. Ndërsa mëngjesin e sotëm, teksa zhvilloheshin homazhe në kujtim të të ndjerit Sokol Olldashi, deputeti Patozi pikërisht në orën 9:15 poston një poezi për të.
Mësohet se Patozi e ka postuar në 9:15, poezinë me po të njejtin titull, pasi në atë orë dy miqtë e ngushtë pinin së bashku kafen e mëngjesit.
Sokol Olldashi ndërroi jetë në këtë kohë 3 vite më parë në një aksident tragjik.
POEZIA
DITA FILLON NË NËNTË E ÇEREK
(Sokol Olldashit)
Dita nis përditë
Në nëntë e një çerek
Me mungesën e filxhanit tënd përballë
Ok, nuk ke pse e porosit,
Por ti mund ta gjesh
Vijimin e vetes tek tjetri
Pushtuesit modernë
Po u gëzohen trofeve të reja
Prej metrash katrorë
Kurse barinjtë e kamur
Prijnë kope të klonuara
E vërtetë është që
Kujdesen për lulet e qentë
Dhe luten për njerëzimin
Por kasap mund të jesh
Edhe pa therur kurrë
Le ta marrim me shaka
Etjen për të fituar dashuri
Me adrenalinë kazinoje
Nëse do flasim seriozisht,
Mjaftojnë vetëm dy nota
Për të ndarë apo bashkuar botën
Vdekja është vetëm
Një minutë heshtje për jetën
Prej miliona vjetësh
Dhe dita nis përditë
Fiks në nëntë e çerek
Nga mungesa e filxhanit përballë
KOHA JONË SONDAZH

