Pazari i Vjetër i Korçës, Peleshi: Zhvillojmë turizmin në qytet
Restaurimi i Pazarit të Vjetër të Korçës, një investim që kap vlerën e 1.7 milionë dollarëve, ka hyrë në fazën përfundimtare, ndërsa pritet t’i japë një impuls të ri zhvillimit të turizmit në këtë qytet.
Duke inspektuar punimet që po kryhen, Zv.kryeministri Niko Peleshi tha se “paralelisht me restaurimin po punohet edhe për rijetëzimin e Pazarit”. Deri tani, sipas Peleshit, janë 21 biznese të reja që kanë përfituar mbështetje për të hapur aktivitetin e tyre, ndërsa mbështetje do të sigurohet edhe për 13 biznese të artizanatit që do të vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në Pazarin e Vjetër.
“Po i jepet fund ndërhyrjes në resaturimin e çdo objekti të këtij ansambli unikal e të mrekullueshëm të pazarit të Korçës. Natyrisht që bashkia, por edhe Ministria e Ekonomisë dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me të cilin punojmë, kanë punuar paralelisht krahas restaurimit edhe për rijetëzimin e funksioneve të vjetra dhe të reja të Pazarit të Korçës. Jam shumë i gëzuar të shikoj se si me fondin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, përmes agjencisë së investimeve të huaja AIDA, 21 biznese kanë marrë një grant për mbështetje ekonomike për të filluar aktivitetin e ri. Po ashtu dhe 13 biznese të artizanatit që do të vazhdojnë të qëndrojnë këtu, do të mbështeten nga programet e bashkisë dhe qeverisë, për t’i dhënë pazarit trajtën e një destinacioni jo vetëm turistik për shkak të vlerave monumentale, arkitekturore që ai mbart, por edhe për shërbimet që ofrohen këtu”, tha Peleshi.
Sipas tij, vlerat arkitekturore të Pazarit të Vjetër, janë unikale jo vetëm për Shqipërinë por mbase edhe për Ballkanin. “Javët e fundit kam takuar edhe grupe turistike të huaja në Pazarin e Korçës, i cili vlen të shikohet sepse ngjall kërshëri për shkak të gjithë kësaj bukurie arkitekturore dhe vlerave historike që ai mbart”, tha Peleshi.

