PD akuzon Ramën: Ka shkuar në Turqi për negociata sekrete

 

Partia Demokratike thotë se kryeministri Rama është nisur në Turqi, për disa negociata secrete.

Sipas PD-së, negociatat kanë të bëjnë me hidrocentralin e Skavicës.

Sot Edi Rama në orët e para të mëngjesit ka udhëtuar drejt Turqisë. Në një ndër hotelet më luksoze të Stambollit ai sot nuk po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare por në një negociatë sekrete aspak transparente, private, me një konsorcium turk i interesuar për koncesionin e hidrocentralit të Skavicës, një ndër veprat më të rëndësishme energjitike në vend me një rëndësi të jashtëzakonshme strategjike në fushën e energjisë e për pasojë dhe të sigurisë së vendit.

Duket e pazakontë kjo sjellje e kryeministrit.

Pse duhet kryeministri i vendit të realizojë fshehurazi një negociatë të tillë?

A është vënë në dijeni dhe a është kërkuar opinioni i qeverisë turke lidhur me konsorciumin?

Pse ambasada e Republikës turke në Tiranë është njoftuar për udhëtimin e kryeministrit vetëm pasi ai ka mbërritur në Stamboll në një formë jashtë çdo protokolli e respekti diplomatik?

Cili është vlerësimi i qeverisë turke për konsorciumin në fjalë?

A është kërkuar opinioni e çfarë vlerësimi ka dhënë Banka Botërore lidhur me aftësitë e kapacitetetit të konsorciumit turk?

Pse ka nevojë kryeministri të negociojë hoteleve kur ka zyrat e shtetit dhe një administratë të mirëpaguar që mund të zhvillojë detajet e negociimit?

Pse ka konflikt mes dy ministrave të qeverisë lidhur me negociimin e konsorciumit?

Përse diplomatët tanë përdoren vetëm për të siguruar kalimet vip në aeroporte dhe nuk janë pjesë e këtyre negociatave?

Kush është sekseri i qeverisë, i negociatës sekrete disa mujore? Sa është përqindja e sekserit qeveritar?

Këto dhe të tjera pyetje janë sot para jush z.kryeministër. Ju ftojmë të sqaroni opinionin lidhur me to,” tha në emër të PD-së, Kreshnik Çollaku.

SHKARKO APP