PD denoncon projektin e Portit të Durrësit: Kompania të tërhiqet, qytetarët të mos blejnë asnjë centimetër në këtë hapësirë

Arben Ristani ka dalë në një deklaratë për mediat, për të denoncuar projektin e portit turistik të Durrësit, duke e cilësuar atë një megaaferë të qeverisë Rama. ”Kjo është një aferë personale e Ramës dhe klanit të tij. Një skotë që prej 9 vitesh i trajton pasuritë publike, nga Tirana në Breg dhe nga Butrinti në Durrës, si kopshtin privat të familjes. Porti i Durrësit është pasuri publike, aset kombëtar, pronë e shteti shqiptar dhe e qytetarëve të Durrësit, jo e kardashianëve të pushtetit”.

Deklarata e plotë e Arben Ristanit

Edi Rama i është rikthyer megaaferës së projektit të Portit të Durrësit, duke dëshmuar se askush nuk mund t’ia ndalë dorën në vesin e vjedhjes. Megafera e portit të Durrësit ka kaluar në tri faza:

Në fillim u paraqit si një investim strategjik i kompanisë së famshme Nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Emmar”. Më pas, u fol për një tërheqje të Emaar-it dhe, në fund, u prezantua një kompani tjetër, kësaj radhe offshore, e arabit Muhamed el Alabbar.

E vetmja gjë strategjike e këtij investimi është strategjia e zhvatjes së pasurive publike dhe vjedhjes, me kuç e me maç, të pronave të patundshme të Republikës së Shqipërisë. Porti i Durrësit është një projekt jashtë çdo procedure dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar.

Fakti është se rreth 1 milion metra katror i jepen një investitori që pritet të investojë 2 miliard dollarë, kur vetëm vlera e tokës, është pothuaj dyfishi. Fakti tjetër është se planifikohet zhvendosja e portit më të madh të vendit, një lëvizje me implikime jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.

Fakti i pashmangshëm është, se një vend në negociata anëtarësimi si Shqipëria, duhet t’i kodifikojë vendimet me strukturat e BE. Ne i bëjmë thirrje kompanisë, cilado qoftë ajo, online apo offshore, që të tërhiqet nga ky projekt abuziv dhe korruptiv.

Qeveritë e një vendi janë të përkohshme, ndërsa interesat strategjike, prona publike, interesi kombëtar janë të përjetshëm. U bëjmë gjithashtu thirrje qytetarëve që të mos blejnë asnjë centimetër në këtë hapësirë.

Kjo është një aferë personale e Ramës dhe klanit të tij. Një skotë që prej 9 vitesh i trajton pasuritë publike, nga Tirana në Breg dhe nga Butrinti në Durrës, si kopshtin privat të familjes. Porti i Durrësit është pasuri publike, aset kombëtar, pronë e shteti shqiptar dhe e qytetarëve të Durrësit, jo e kardashianëve të pushtetit.

SHKARKO APP