PD denoncon: Rikthimi i mbetjeve të rrezikshme në Portin e Durrësit, kërkojmë zbardhjen e skandalit

Anëtari i kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari gjatë një deklarate për mediat nga selia blu, ka deklaruar se, të dielën mbërrijnë kontenierët me mbetje toksike.

Muçollari u shpreh se, PD kërkon zbardhjen e skandalit të mbetjeve të rrezikshme, si dhe kërkon transparencë në analizat që do tu bëhen kontenierëve të mbushur.

‘Partia Demokratike u bën thirrje organizatave, Rrjetit të Bazelit dhe qytetarëve të jenë të pranishëm. Procedura të kryhet me 3 kontejnerë të vulosur, të pahapur, dhe në 3 laboratorë të ndryshme. Të mësojmë të vërtetën e mbetjeve të rrezikshme. Të mos e lejojmë Edi Ramen ta fshehë këtë aferë, dhe të mos luajë me jetën e shëndetin e njerëzve thjesht për të mbrojtur karrigen e pushtetin e tij’, tha gjatë deklaratës për mediat.

Deklarata e anëtarit të kryesisë së PD, Grigels Muçollari:

Sipas Rrjetit të Bazelit, këtë të diele, me 27 tetor, do të rikthehen në Portin e Durrësit, 102 kontejnerët me mbetje të dyshimta, të ngarkuara aty me 4 korrik.

Rrjeti i Bazelit, organizata më e specializuar për mbetjet e rrezikshme e toksike dha alarmin e para se këto ngarkesa ishin të dyshimta, dhe se trafiku i tyre ishte i paligjshëm.

Pas kësaj, vendi ku do të mbërrinin, Tajlanda, refuzoi të mbante ngarkesat nga Shqipëria dhe anijet u kthyen mbrapsht.

Në këto 3 muaj, qeveria, ministrat përgjegjës dhe Kryeministri kanë mohuar çdo përgjegjësi, kanë fajësuar operatorin privat që ata vetë e kanë licencuar, kanë fajësuar Opozitën, dhe kanë thënë se mbetjet nuk janë të rrezikshme.

E vërteta po vjen bashkë me anijet.

Por, këtu nis një problem tjetër edhe më i madh.

Të gjithë dyshojnë se qeveria nuk do të bëjë transparence, nuk do ta bëjë testimin sipas standardeve, dhe do të bëjë gjithçka për ta manipuluar rastin, për ta fshehur realitetin.

Ndaj dhe Rrjeti i Bazelit, insiston sërish që ky proces të mos i lihet në dorë qeverisë, por të behet në praninë e tyre, të ekspertëve, të shoqërisë civile dhe në sytë e publikut.

Partia Demokratike prej ditës së parë këtë ka kërkuar.

Që të ketë transparencë, llogaridhënie e të mbahet përgjegjësi. Ne e dimë mirë se Edi Rama ka luajtur e do të luaje çdo gur që ka në dorë që të mos dalë i përfshirë në trafik ilegal të lendeve të rrezikshme apo toksike.

Ne do të dëshironim shumë që kjo të mos ishte e vërtetë. Do të donim që në ato anije të mos kishte mbetje që rrezikojnë jetën, shëndetin dhe mjedisin tonë.

Por të dhënat e deritanishme dhe mënyra se si janë sjellë ministrat përgjegjës e Kryeministri, të bëjnë të mendosh se ky krim ka ndodhur.

Zbardhja e kësaj ngjarje është e një rëndësie themelore.

Partia Demokratike u bën thirrje organizatave, Rrjetit të Bazelit dhe qytetarëve të jenë të pranishëm. Procedura të kryhet me 3 kontejnerë të vulosur, të pahapur, dhe në 3 laboratorë të ndryshme. Të mësojmë të vërtetën e mbetjeve të rrezikshme. Të mos e lejojmë Edi Ramen ta fshehë këtë aferë, dhe të mos luajë me jetën e shëndetin e njerëzve thjesht për të mbrojtur karrigen e pushtetin e tij.

Të jemi të gjithë aty e të mos lejojmë qeverinë të bëjë trafik të së vërtetës mbi trafikun e mbetjeve të rrezikshme.

SHKARKO APP