PD: Integriteti i SPAK është vënë në dyshim. Kraja hetues i komunizmit, Dumani takim me Manjën

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi ka denoncuar sot dy prej prokurorëve të SPAK, ndaj të cilëve janë publikuar fakte kompromentuese dy ditët e fundit.

Një dokument i Korrikut 1990, i bërë viral ditën e djeshme, ka zbuluar se Drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja, ka marrë pjesë në procese politike, duke i shërbyer regjimit diktatorial deri në grahmat e tij të fundit”,- tha Bardhi.

Po ashtu ai shtoi se prokurori Dumani është faktuar se ka pasur kontakte me një drejtues të lartë të PS, gjë që kompromenton figurën e tij si prokuror i pavarur. “Fakti i dytë i rëndë, edhe ky i bërë publik nga media online, është takimi një ditë para votimit, i Prokurorit Altin Dumani me përfaqësuesin e Partisë Socialiste, Ulsi Manja. Altin Dumani ishte një nga kandidatët kryesorë për drejtimin e SPAK dhe ky takim, siç analizon me të drejtë media, për të marrë në KLP votat e kontrolluara nga njëri prej klaneve në Partinë Socialiste, vendos në pikëpyetje profesionalizmin, pavarësinë dhe paanshmërinë e tij. Minimalisht prokurori Dumani ka detyrimin t’i sqarojë opinionin publik motivin e takimit me Ulsi Manjën, një ditë përpara votimit në KLP”,- tha Bardhi.

Ai shtoi se Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë dhe nuk ka komentuar procesin e përzgjedhjes dhe emërimit të prokurorëve të SPAK, duke patur bindjen se integriteti i kësaj strukture duhet të ruhet në çdo rast.

Bardhi tha se prokurorët duhet të sqarojnë pozicionin e tyre, në mënyrë që të mos dëmtohet besueshmëria e Prokurorisë së Posaçme. “Partia Demokratike rikonfimon edhe njëherë mbështetjen e plotë për SPAK, duke besuar se me ngritjen e kësaj strukture Shqipëria ka një shans të ri dhe real, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë.  Por që kjo të arrihet, duhet domosdoshmërisht që SPAK të pastrohet nga çdo hije dyshimi mbi integritetin e anëtarëve në përbërje të saj”,- tha Gazmend Bardhi.

Ndërkohë në rrethet e drejtësisë tregohen se të dy janë prokurorë me integritet dhe profesionistë.

Altin Dumani dhe Ulsi Manja

Dokument i muajit korrikut 1990, që tregon se drejtuesi i SPAK-ut Arben Kraja, ka marrë pjesë në procese politike

SHKARKO APP