
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj gjobitjes së qytetarëve për pjesëmarrjen në protesta paqësore, duke e cilësuar këtë veprim si një akt të rëndë arbitrariteti dhe censure ndaj lirive themelore. Në një reagim publik, Bardhi thekson se e drejta për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe nuk mund të cenohet përmes gjobave, intimidimit apo dhunës. Sipas tij, askush nuk mund të përdorë autoritetin shtetëror për të ndëshkuar qytetarët që ushtrojnë një të drejtë themelore.
Postimi i plotë
Gjobitja e qytetarëve vetëm dhe vetëm për faktin se ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në një protestë paqësore përbën një akt të rëndë arbitrariteti dhe censure ndaj lirive themelore.
E drejta për t’u tubuar dhe për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me Kushtetutë dhe nuk mund të cenohet, intimidohet apo shuhet përmes gjobave dhe as përmes dhunës.
Askush nuk është mbi Kushtetutën dhe askush nuk mund të përdorë autoritetin shtetëror për të ndëshkuar ushtrimin e një të drejte themelore.
Cilido që firmos akte të tilla kryen vepër penale. Pengimi i ushtrimit të së drejtës për tubim dhe manifestim nuk mund të mbetet pa përgjegjësi.