PD lexon përgjimet e SPAK: Çështja e Ahmetajt është 1/200-ta e provave që kanë ardhur për Belinda Ballukun
Këtë të martë nga Kryesia e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kishte hedhur në letër fjalën e Edi Ramës, të cilën doli ta kundërshtonte duke nënvizuar se argumentet e përdorura për të dalë kundër SPAK nuk qëndronin. Dy raportet e Këshillit të Mandateve do të shkojnë për votim të enjten në seancë plenare, ku Gazment Bardhi do të mungojë për shkak se është i përjashtuar.
“Kryeministri po përpiqet të fshehë një të vërtetë shumë të thjeshtë. Vendimi për të bllokuar kërkesën e SPAK nuk u mor sepse provat ishin të dobëta, por sepse provat çojnë herët apo vonë tek vetë Edi Rama. Edhe sikur dosja e SPAK të kishte jo 16.000 faqe, por 166.000 faqe prova, Edi Rama do të kishte marrë të njëjtin vendim”, tha ai.
Nga ana tjetër Bardhi bëri një krahasim ndërmjet dy dosjeve hetimore të dy ish-zëvendëskryeministrave të fundit të Edi Ramës, Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku, që të dy nën akuzë nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). “Çështja e Ben Ahmetajt është 1/200-ta e provave që kanë ardhur për Belinda Ballukun. Unë jam anëtar i Këshillit të Mandateve, i kam shqyrtuar të dyja çështjet. Atje kishte indicie, këtu ka prova; atje kishte të dhëna dhe dyshime, këtu ka prova që provojnë kryerjen 11 herë të veprës penale nga Belinda Balluku”.
Një përgjigje kreu i grupit të PD-së e pati edhe për tezën socialiste se burgjet janë mbushur me të paraburgosur. “Në dhjetor të vitit 2014, kur Edi Rama ju mashtronte se po bënte shtet, një kryefamiljar në varfëri ekstreme u burgos sepse nuk paguante dot energjinë elektrike. Ishte koha kur Edi Rama fuste në burg këdo dhe nuk shqetësohej, si sot, për mbingarkesën e qelive të paraburgimit”, tha Bardhi.
KOHA JONË SONDAZH

