PD në fushatë për zgjedhjet e 23 majit, Berisha cakton përfaqësues në çdo komision
Edhe pse Partia Demokratike ka hyrë në një proces zgjedhor të brendshëm për drejtimin e saj, ku gara për kryetar zhvillohet më 23 maj me vetëm një emër në fletën e votimit, Sali Berishën, në selinë blu janë ndërmarrë të gjitha hapat për organizimin formal të këtij procesi si një zgjedhje e mirëfilltë.
Sipas një udhëzimi të brendshëm të siguruar nga mediat, fushata brenda strukturave të partisë ka nisur më 15 maj dhe do të zgjasë deri 24 orë përpara ditës së votimit. Dokumenti përcakton rregullat dhe afatet e procesit, duke e konsideruar atë si një procedurë të plotë zgjedhore brenda partisë.
Megjithëse kandidati i vetëm është Sali Berisha, ai po e ndjek nga afër gjithë procesin organizativ. Udhëzimi parashikon që në çdo komision votimi dhe numërimi të ketë përfaqësues të caktuar nga strukturat e partisë. Komisionet do të përbëhen nga tre anëtarë, ku përfshihen përfaqësues të kryesisë së degës, përfshirë edhe drejtues lokalë.
Procesi i votimit është i hapur për të gjithë anëtarët e partisë që figurojnë në listat përkatëse, si dhe për ata që nuk janë në lista, por disponojnë dokumentin zyrtar të anëtarësisë në PD. Kjo synon të garantojë pjesëmarrje sa më të gjerë në zgjedhje.
Votimi do të zhvillohet në datën 23 maj, duke nisur në orën 08:00 të mëngjesit dhe duke përfunduar në orën 18:00 të pasdites. Menjëherë pas mbylljes së procesit, numërimi i votave pritet të nisë brenda 30 minutave.
Sipas udhëzimit, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve duhet të shpallet brenda datës 24 maj, duke përmbyllur kështu procesin zgjedhor të brendshëm në Partinë Demokratike.
KOHA JONË SONDAZH

