PD platformë paralele, grup pune për një dokument të plotë për reformën zgjedhore
Kur mazhoranca dhe opozita parlamentare, janë fokusuar për adresim në kod zgjedhor të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, Partia Demokratike pritet të dalë me një platformë të plotë për zgjedhje të lira e të ndershme. Për këtë qellim Lulzim Basha ka takuar ish-deputetë dhe juristëdemokratë, ndërsa platforma nuk parashikon thjesht ndryshimin e kodit zgjedhor, por një ndërhyrje të thellë në ligjin për partitë politike dhe Kushtetutën.
Në një kohë kur Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ka kërkuar nga partitë pjesmarrëse propozime konkrete, kryesisht bazuar mbi rekomandimet e ODIHR-it, Partia Demokratike dhe aleatët e saj duket se do të ndjekin një rrugë krejt tjetër.
Pasi kushtezuan pjesëmarrjen në reformë, me ngritjen e një Strukture të Posaçme për këtë proces, opozita duket se do të dalë me një platformë të gjerë që sipas tyre garanton zgjedhje të lira e të ndershme.
Lulzim Basha u takua mesditën e së hënës me deputetë dhe juristë të Partisë Demokratike, ndërsa mësohet se tashmë puna ka filluar për një dokument që nuk kufizohet vetëm në rekomandimet e odihr-it.
Platforma e opozitës, e cila do të bëhet publike në ditët e ardhshme, parashikon jo vetëm ndryshime në ligjin zgjedhor, por edhe në ligjin për partitë politike e deri tek ndërhyrjet në Kushtetutë.
Partia Demokratike mbetet e palëkundur në qëndrimin se standardet zgjedhore mund të garantohen, kryesisht nga vullneti dhe sjellja politike.
Për ta detyruar këtë, selia blu mund të kërkojë prekjen e Kushtetutës,ndërsa nuk përjashton edhe mundësinë e ndryshimit të sistemit zgjedhor.
Takimi i zotit Basha me ish-deputetë dhe juristë të Partisë Demokratike, vjen vetëm një ditë para se ai të takojë kryevëzhguesen e misionit të OSBE-ODIHR-it, Audry Glover, e cila u rikthye të hënën në Tiranë për të adresuar gjetjet e zgjedhjeve të 30 qershorit.