PD s’firmos draft-rezolutën

Rreth 5 orë me radhë diskutimeve, nuk kanë qenë të mjaftueshme për deputetët negociatorë të mazhorancës dhe opozitës për të gjetur dakordësinë për draft-rezolutën e përbashkët të hartuar nga dy eurodeputetët.

Edhe pse sinjalet gjatë ditës ishin pozitive, drafti në mbrëmje ka mbetur vetëm me firmën e deputetëve të PS-LSI.

Në dalje të takimit deputeti demokrat, Genc Pollo, argumetoi edhe arsyen e mosgjetjes së konsensusit, ndërsa shtoi se diskutimet do të vazhdojnë më tej.

“Drafti i paraqitur nga ne përmban atë që PD ka kërkuar prej kohësh, dekriminalizimin e Kuvendit, dhe ndryshimet ligjore që të drejtat e opozitës të mos shkelen nga një pushtet arbitrar. Kemi rënë dakord të vëmë një afat 6-mujor për të gjitha ndryshimet që duhet të bëjë Kuvendi për të përmbushur këto detyrime. Janë disa çështje për të cilat deri më tani nuk kemi rënë dakord, por do diskutojmë. Mazhoranca nduk do përdorë 3/5 e votave pasi nuk i ka të sajat nga elektorati dhe më tej do t’i diskutojmë”.

Por për Taulant Ballën e PS, kërkesat shtesë të demokratëve janë të panevojshme dhe dëmtojnë procesin.

“Ne prej momentit të parë mbështetëm deklaratën e më pas draftin e marrëveshjes që Kukan dhe Fleckenstein arritën që të bënin dje. Që në mëngjes kemi dalë në deklaratë që e mbështesim. Në takimin me 2 përfaqësuesit e PD, pamë që pati edhe kërkesa të tjera për t’u shtuar, dhe për të hyrë në detaje të panevojshme për një marrëveshja parimesh, kjo nuk ishte në frymën e asaj që dje dy eurodeputetet arritën dje në Tiranë. Nesër Kuvendi i Shqipërisë është i gatshëm që marrëveshjen e propozuar dhe të miratuar nga PE ta miratojë. Shtesa një pas një dhe pafund thjesht e dëmtojnë procesin dhe nuk shtojnë asgjë mbi atë që u arrit me angazhimin shumë të frytshëm të dy eurodeputetëve”.

Nga ana tjetër deputeti Vasili tha se në draftin e përbashkët janë materializuar kërkesat e opozitës.

“Deklarata e cila është në duart e zotit Balla është riprodhim i projektrezolutës të propozuar nga 2 eurodeputetet. Elemente thelbësorë që paraprinë procesin, nevoja enjë negocimi me ndërkombëtarët, tashmë është i materializuar. Tërë elementet themelorë që përbënin edhe shqetësimin madhor të opozitës, që kishin të bënin me mënyrën e votimeve që kërkojnë konsensus të gjerë, apo dekriminalimi i opozitës, janë të materializuara në dokument, dhe shtesat e tjera, nuk kanë lidhje me një qëndrim themelor, por tregojnë një vullnet të munguar për t’i shkuar deri në fund këtij procesi. Duhet të bëhemi modestë dhe të mos shtojmë eksperiencë tonë të varfër politike në raport me atë të pasur evropiane, por të pranojmë atë që ndërkombëtarët na ofruan. Është një marrëveshje që ka firmën e zotit Balla dhe firmën time”.

SHKARKO APP