PD sulmon sërish Tahirin: Imunizon bandat e drogës

 

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani ka reaguar sot lidhur me dëshmitë e reja të dhëna nga ish-shefi i anti-drogës së Fierit, Dritan Zagani.

“E gjithë puna e oficerit të anti-drogës jo vetëm është sabotuar, por kërkimet dhe të dhënat e mbledhura prej tij i janë dorëzuar vetë bandës, e cila më pas ka kërcënuar me jetë Zaganin”, ka deklaruar Ristani. 

“Po nga vjen ky pushtet i trafikantëve, ky pushtet i krimit, që arrin të marrë vesh e të zotërojë gjithë punën e dokumentuar të oficerit? Kjo skemë mafioze, ky sundim i mafias, ka një emër. Saimir Tahiri”, ka thënë gjithashtu deputeti demokrat. 

Sipas tij, dëshmia e oficerit është me fakte konkrete, me emra, me data dhe informacioni që ai ka nisur tek eprorët e tij flet për ngarkesa masive droge dhe për miliona euro. 

“Por asnjëherë nuk nisi një hetim zyrtar për Habilajt apo Arben Dalipin, të gjurmuar, një punë e materializuar nga oficeri Zagani me prova konkrete. Nuk kishte si të niste një hetim, sepse Habilajt kanë kapur policinë, Habilajt kanë ministrin e Brendshëm. Si mund të hetojnë oficerët e policisë lidhjet kriminale të ministrit të tyre?”, ka vijuar Ristani, i cili akuzat i ka çuar edhe në drejtim të kryeministrit Rama. 

 

SHKARKO APP