PDIU, në delir: Zgjedhjet spektakolare, fituan të gjithë kandidatët tanë

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet e quan një rezultat spektakolar atë të 21 qershorit, ku konfirmon se të gjithë kandidatët e PDIU-së brenda koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane dolën fitues. “Rezultati i Peqinit, spektakolar, dhe tregues se votuesit e kandidatit tonë ishin të të gjitha partive”, thekson PDIU.

Cilësia e kandidatëve ishte përcaktuese e suksesit të ri elektoral, thuhet në njoftimin e PDIU-së, duke u konfirmuar si një ndër partitë kryesore në vend.   “PDIU përgënjeshtroi gjithë kasandrat brenda dhe jashtë vendit, me rezultatin e arritur. Ajo u konfirmua si partia e bashkimit të shqiptarëve mes vetes, pavarësisht fesë së tyre, të shqiptarëve me pakicat etnike, etj, dhe kjo ishte përgjigja më e mirë për gjithë ata që donin ta asocionin partinë tonë me parti imagjinare naziste apo fashiste të së shkuarës. Trendi i votave në Këshillat Bashkiakë tregon po ashtu një rritje të konsiderueshme! Për t’u veçuar rezultati i lartë i Peqinit nga kandidati ynë i përbashkët brenda ASHE-së, Saimir Hasalla. Me këtë rezultat PDIU konfirmoi se ajo di të bashkojë shqiptarët pavarësisht përkatësisë së tyre partiake, rreth një kandidati të shkëlqyer dhe një oferte elektorale cilësore”, përfundon deklarata  e PDIU.

SHKARKO APP