Pedagogët i përgjigjen kryeministrit: Nesër të gjithë në protestë te Sheshi “Nënë Tereza”, të na bashkohen edhe studentët

Pas sulmeve të kryeministrit Rama nga Gjirokastra, kryesia e Sindikatës së Pedagogëve ka vendosur që ditën e enjte, datë 20 tetor, të mblidhen në ora 11.00 para Universitetit Politeknik të Tiranës (sheshi “Nënë Tereza). Pedagogët kanë bërë thirrje që edhe studentët të bashkohen në protestën e tyre.

Deklarata e plotë:

“Të dashur kolegë të IAL-ve publike. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) deklaron vijimin e protestave, në mbështetje te Peticionit te datës 30 Gusht 2022, drejtuar Kryeministrit, Ministres se Arsimit dhe Sporteve dhe rektorëve të IAL-ve publike.

Të dashur kolegë, vetëm vijimi dhe qëndresa jonë e përbashkët do të mundësojnë vlerësimin dhe kthimin e dinjitetit akademik të stafeve dhe universiteteve tona. Nesër, më datë 20 tetor 2022, ora 11:00 do te zhvillohet protesta kombëtare.  Ajo do të jetë në formën e bojkotit total, përpara Godinës së Korpusit Qëndror të Universitetit Politeknik. Do të marrin pjesë të gjitha universitetet publike të vendit. Ftojmë edhe studentet që të japin mbështetje me prezencën e tyre. Le të jemi nesër të gjithë bashkë në këtë hapësirë akademike.

Vetëm qëndresa dhe uniteti ynë i përbashkët, i shoqëruar me argumentet e pakundershtueshme të Peticionit tonë, do të bëjnë të mundur arritjen e qëllimit që i kemi venë vetes. Kjo kauzë nuk është vetëm në funksion të stafit akademik, stafit ndihmës-akademik, administrativ dhe studentëve të IAL-ve publike, por synon zgjimin dhe ndërgjegjësimin e gjithë shoqërisë shqiptare për shqetësime të tilla ekzistenciale. Misioni ynë akademik vazhdon!”.

Por një prej pedagogëve shtoi se ““Kryeministri të deklarojë piramidën e pagave në të gjithë administratën publike pasi kemi parë pastrues në Fondin Shqiptar të Zhvillimit që marrin më shumë se sa një pedagog”.

SHKARKO APP