Pelegrinazhi në malin e Tomorrit, qingjat kurban për mirësi në familje
Data 20 gusht shënoi nisjen e pelegrinazhit drejt malit të Tomorrit, një mal i konsideruar “i shenjtë” pasi në të prehet shenjtori i familjes së Profetit Muhamed, Abaz Aliu. Festa e Shenjtë e Bektashinjve organizohet nga 20-25 Gusht dhe mbledh çdo vit në Teqenë e Kulmakut pelegrinë nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm.
Mijëra pelegrinë udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorrit nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që i përkasin. Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.
Sipas gojëdhënave thuhet se Abaz Aliu, nga Arabia, së bashku me vëllanë e tij të vogël, u vendosën në Berat, duke u bërë mbrojtës të nahijes. I vëllai mbronte qytetin e Beratit, ndërsa Abaz Aliu u vendos në Tomorr, për të mbrojtur gjithë fiset dhe krahinat e Tomorit.
Ditën e 25 gushtit shpirti i tij vjen nga Olimpi dhe kthehet përsëri për të çliruar viset e Beratit nga gjithë të këqijat. Populli ka respekt e nderim hyjnor për dy vëllezërit, sepse betohet “për Baba Tomor”, “për Abaz Ali”.