Pëllumb Pipero: Epidemia ka një ritëm gradual por ulës në vijimësi. Çfarë duhet të kenë kujdes qytetarët
“Unë besoj që Vlora gradualisht po bëhet gati sepse masat po lehtësohen dita-ditës. Epidemia ka një ritëm gradual por ulës në vijimësi, ndërkohë Vlora nesër shpallet zonë e gjelbër dhe është një lajm jashtëzakonisht i mirë. Ka 3-4 javë pa asnjë rast të ri, kështu që në qoftë se ju e konsideroni një mesazh të tillë, le të jetë ky i afrimit të turizmit për Vlorën. Pse jo?!”. Kështu shprehet mjeku Pëllumb Pipero, i cili prej 2 muajsh ka qenë një nga zërat më të fortë informues sa i takon pandemisë së koronavirusit.
Ai ka qenë Vlorë për arsye profesionale por edhe personale. Në një intervistë për “News24”, Pipero ka sqaruar se megjithëse situata është e qetë, nuk duhet të ketë rënie të vigjilencës dhe kujdesit, duke treguar masat që duhet të respektojë çdo qytetar.
“Situata është shumë e qetë. Epidemia ka një ritëm rënës, ulje të qëndrueshme. Edhe sa i takon numrit të rasteve të shtruara, që po shtrohen në spital që janë 2-3 në ditë, herë pa asnjë rast fare, edhe sa i takon numrit të rasteve të reja pozitivë që dita e fundit e ka qenë 9, 7, 6 sot. Lajmi i mirë është që numri i rasteve të shëruara shtohet nga dita në ditë, tashmë kemi më shumë se gjysmën e personave të prekur të shëruar. Situata është mjaft e qetë por kjo qetësi nuk duhet të na ulë as vigjilencën, nuk duhet të na vërë as në gjumë, nuk duhet të na ulë as kujdesin. Ende virusi qarkullon, pavarësisht se me ritëm të ulët dhe ndofta edhe me virulencë të ulët por ende qarkullon. Sa kohë virusi qarkullon neve duhet që medoemos të respektojmë ato masa të rëndësishme shumë për këtë fazë të dytë që është faza e hapjes graduale por e qëndrueshme. Do të thotë që ende duhet të kemi kujdes, sidomos në vende publike. Qytetarët të ruajnë distancën fizike, të vendosin një maskë, ata që shërbejnë të kenë maska e doreza, higjiena e duarve, larja sa më shpesh, janë disa masa që duhet t’i respektojmë në vijimësi”, tha Pipero.