Për elitat e dukshme dhe ato të fshehura pas politikës…

Nga Gëzim Tushi/Shoqëria shqiptare ka marrë një stratifikim kakofonik të elitave të saj. Duket e paqartë skakiera e saj nga që është vështirë përcaktimi i duhur i rolit të intelektualit klasik nga ai mediatik, i atyre që janë në rolin e profesionistit të filozofit, sociologut apo përfaqësuesit të dijes universal nga intelektuali mediatik dhe shtresa e elitës së fshehtë, e atyre që janë më shumë në role të këshilltarëve të “mbretit”apo të elitës politike. Shqetësimi që ndihet dhe që është realisht i vërtetë është se po jetojmë në një situatë sociale kur duket sikur është cenuar koncepti, vendi dhe statusi i rolit të “intelektualit klasik”. I cili gradualisht por në mënyrë të vendosur është duke u konkurruar suksesshëm nga roli i elitave të reja të shfaqura hapur si intelektualë mediatikë e protagonist të jetës dhe komunikimit publik, por dhe nga elitat e fshehta të këshilltarëve që kanë lulëzuar kohët e fundit herë “duke qëndruar pas dhe pranë mbretit” kur është në pushtet dhe pastaj si këshilltar në “oborrin” e politikës kur janë në opozitë.

Kohët kanë ndryshuar dhe zhvillimet sociale zgjerimi i kufijve të kulturës demokratike të qytetarëve tanë, zgjerimi i mjeteve të informimit dhe kulturimit masiv doemos që e ka tronditur në një farë mase autoritetin kulturor dhe staturën publike të intelektualëve në përgjithësi. Kjo dukuri e ristratifikimit të pozitës dhe rolit social të intelektualëve në shoqëri nuk është specifike vetëm për ne. Sociologët e postmodernitetit duke analizuar me kujdes dukuritë e jetës së sotme edhe në këtë aspekt, konkludojnë se në krahasim me të kaluarën kudo pozita e intelektualëve klasikë në kohën e sotme ka rënë nga “piedestali” i dikurshëm i profetit kolektiv”.

Në të njëjtën kohë ajo për shkaqe që lidhen me demokracinë dhe ndikimet e ekonomisë së tregut nuk ka më atë pozitë që ka pasur dikur në formimin e opinionit publik. Kjo është arsyeja sipas mendimit tim që duke analizuar këtë dukuri e metamorfozë në shoqërinë tonë duket se nën ndikimin e zhvillimeve demokratike “intelektuali” është “bërë më modest”. Ai nuk flet më as në emër të “dijes universal”as si “përfaqësues i dijes integrale” por më shumë prezanton veten në emër të aftësive të tij. Koha me sa duket po e mëson intelektualin shqiptar të jetë në vendin e vet, në pozicionin social që i takon dhe kjo e ka mësuar atë që të t’i vendos kufi vetes. Prandaj pozita e re e intelektualit që është duke jetuar si barabartë midis të tjerëve, që di të qëndrojnë organikisht në vendin e vet dhe të përpiqet të realizojë misionin për të ndikuar me “pushtetin e dijeve”të veta në përmirësimin e kushteve dhe mekanizmave social që ndikojnë në formimin e “kulturës kritike” në shoqëri.

Swiss Digital Desktop Reklama

Është krejt normale dhe fare e natyrshme që në shoqërinë tonë demokratizimi të shoqërohej me procesin e ridimensionimit dhe riorientimit të rolit social dhe personal të elitave, shoqëruar në të njëjtën kohë dhe në mënyrë të natyrshme me procesin reformues të rënies të pozitës së elitave të “vjetra”, dhe shfaqjen bujshëm të elitave të reja të “hapura” apo të “fshehura” të kristalizuara në këto dy dekada e gjysmë në të gjithë format e tipologjitë e mundshme, nga ato të tipit klasik deri tek ato me natyrë të spikatur mediatike.

Swiss Digital Mobile Reklama

Si pasojë e këtij procesi shumë të rëndësishëm dhe zhvillimit eruptiv të një lloj revolucioni klasor dhe demokratizues të strukturës së trashëguar nga koha e komunizmit të elitës shqiptare, ishte e natyrshme që brenda këtij konteksti në shoqërinë tonë qytetarët dhe opinioni publik në përgjithësi krejt natyrshëm ka filluar në vend të intelektualit klasik universalist që ka pushtetin e dijes së kulluar, dëshiron dhe preferon elitat e reja.

Kjo është arsyeja që në shoqërinë tonë ndihet një lloj shqetësimi për shkak se në mënyrë të padiskutueshme ka ndryshuar statusi i “intelektualit klasik” të dikurshëm, sepse në evidence sociale kanë dalë intelektualë të një natyre ndryshe që í duhen politikës, e cila siç po duket, më shumë se për intelektualë elitarë dhe akademikë ka nevojë për njerëz të kulturuar e intelektualë, që ti përgjigjen nevojave të vërteta të realitetit, përtej pretendimeve universaliste të intelektualit klasik.

Kjo është arsyeja pse në kohën e sotme në shoqërinë shqiptare duket se edhe vetë intelektuali për të qenë kompatibël me kohën dhe kërkesat e saj ka ndryshuar natyrë. Nuk e di sa e vlefshme është kjo tendencë, por e vërteta është se në thelb intelektualët në demokraci kudo në botë janë bërë më modest në qëndrimet e tyre publike në raport me peshën e ndikimit social dhe pushtetin e drejtpërdrejtë të politikës. Prandaj sot në Shqipëri kanë marrë peshë jo “intelektualët klasikë” me dije të kulluara universaliste, por ata që janë me profesione të tjera, sikurse janë konsulentët e fushave të ndryshme, statisticienë që bëjnë sondazhe elektorale, opinionistët dhe analistët që kanë ndikime të gjëra në opinionin publik. Me një fjalë janë grupe intelektualësh e profesionistësh, që duke qenë pranë apo të lidhur me politikën, gradualisht në mënyrë fare evidente në shoqërinë tonë ata janë bërë një shtresë më vete, madje mjaft e forte, me influencë të gjerë në jetën sociale dhe zhvillimet politike.

Rritja e peshës së kësaj shtrese nuk është jashtë logjikës së demokracisë shqiptare sepse ajo është e lidhur me faktin, se vetë demokracia është kompeticion i pandërprerë dhe politika është një garë e vazhduar elektorale që duhet kontrolluar dhe një pushtet që forcën e vet e ruan edhe përmes trafikut të influencës. Këto duan instrumentet e tyre të cilat i përdor në mënyrë të përkryer kjo shtresë e intelektualëve militantë apo dhe ekspertë të fushave të caktuara. Aq e vërtetë është kjo sa që në perceptimin e opinionit publik kategoria e njerëzve që kanë këtë status në jetën e sotme shqiptare, jo vetëm janë me peshë individuale por në shumë raste përpiqen me rolin publik që luajnë të kenë të drejta të pakufizuara dhe mundësisht të jenë të pakontrolluar nga askush.

Por kjo elitë është e bashkëshoqëruar me një lloj “elite të fshehtë” e përbërë nga një radhë e intelektualëve militantë (në fakt ka një debat në se militantizmi e dëmton cilësinë e përfaqësimit të vërtetë intelektual të njeriut), të cilët edhe pse e kanë të kufizuar vlerën e tyre personale në ballafaqimet publike, konsiderohen si intelektualë oborri, mbahen si konsulentë e konsiderohen si “kuti të mendjes” brenda kështjellave të partive politike. Kjo elitë e fshehtë e politikës edhe pse shfaqet rrallë publikisht, është krejtësisht e vlerësuar në rolin e eminencës gri, dhe konsiderohet si gjenerator për furnizimin me ide e zgjidhje të liderëve të partive politike. Të cilët në të njëjtën kohë aq sa kanë vlerë konsultuese e orientuese për politikanët kanë edhe përgjegjësinë e tyre personale për nivelin dhe cilësinë e realizimit të strategjive të politikës shqiptare.

Problemi është se kjo pjesë e elitës edhe pse e padukshme  janë bërë të paprekshëm dhe megalomania e tyre nuk i lejon as të konkurrojnë me dije as të ballafaqohen me zgjidhje me intelektualët e vërtetë që janë në një farë mënyrë për fat të keq në pozitën e “elitës në rënie”. Problemi është se duke qenë fort ndikuese mbi politikën dhe përgjithësisht e padukshme ose e fshehtë për publikun, ndryshe nga statusi publik i intelektualëve të vërtetë, nuk është e qartë se sa është lidhja e kësaj “elite të fshehtë” me interesat e vërteta të publikut. Se lidhja me interesat personale e tyre është e qartë, madje ndonjëherë deri në banalitet për çdo qytetar të vendit tonë.

Doemos kjo është e lidhur me faktin që ndryshimet politike, ekonomike e sociale në këto 26 vjet në mënyrë të natyrshme do të sillte “këmbim vendesh” ndryshim pozicionesh politike, ekonomike e sociale të elitave në shoqëri. Jo thjesht si përmbysje e elitave të së kaluarës. Tani elitat e alambikuara me politikën në shoqërinë tonë, është vështirë ti kërkosh të jenë në trajtë të kulluar dhe pa angazhime të tjera të interferuara që ndikojnë në pozicionimet e tyre publike.

Një pjesë prej tyre elitizmin e kanë ndërtuar duke qenë njëherësh analistë, opinionistë edhe eminenca gri të politikanëve të caktuar apo dhe përfaqësues ose pjesë e inkorporuar në biznese të caktuara. Kudo në botë shtresa e elitës intelektualo-mediatike, elitat e fshehta të ekspertëve dhe profesionistët e interferuar dhe të lidhur me median dhe politikën, ka filluar të shfaqet qartë me statusin politik, financiar e publik të një lloj “aristokracie moderne”, e cila gëzon një status më të sigurt se sa intelektualët e botës akademike dhe profesionistët e fushave të tjera.

Në imazhin publik veprimtaria e tyre ngjan dhe mbase është më e lidhur me problemet e ditës, të jetës politike e zhvillimeve sociale. Ideja se ata veprimtarinë e tyre e kanë të lidhur me interesat e gjëra të publikut, përfaqësues të së cilës e quajnë veten i bën ata më vizibël, më atraktivë, të pranishëm në debatet publike, shumë herë më tepër se sa intelektualët e vërtetë që qëndrojnë të mbyllur në aulat e universiteteve apo në sferat e prodhimit, kulturës, fesë, shoqërisë civile, etj…

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?