”Për këta nuk ekziston prona”, Tabaku sulmon qeverinë për kalimin e ligjit
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se është një fatkeqësi që dje pa asnjë lloj debati kaloi një ligj që në fakt që duhet të kishte qenë objekt i një diskutimi shumë të gjerë.
“Korporata e Investimeve i merr pronarit pronën dhe e vendos në një databazë pronash të qeverisë për t’u shpërndarë. Po merret kompetenca e gjykatës për të vendosur për pronat, e zhvesh pronarin edhe nga ato të drejta që i kishin mbetur. Kjo është filozofia e Partisë Socialiste. Në komunizëm nuk ekzistonte prona dhe për këta nuk ekziston prona. Këta janë mësuar të uzurpojnë çdo pronë. Prona është një nga 5 prioritetet e procesit të integrimit.
Në lidhje me amnistinë fiskale, Tabaku nënvizoi se bëhet fjalë për një thirrje të dëshpëruar për vota dhe për një përpjekje për të legalizuar burimet informale të ekonomisë.
”Kur ti propozon amnisti në një nivel të tillë është thirrje e dëshpëruar për vota dhe përpjekje për të legalizuar burimet informale të ekonomisë që sot, pas 7 vitesh në pushtet, kanë arritur në nivelin e tyre më të lartë. Nëse zbatohet kështu siç është ideuar do të krijojë pabarazi: biznesi i ndershëm do të vendoset përballë kriminelit që ka para që nuk i ka deklaruar. Kjo është padrejtësia më e madhe që mund të bëhet kundrejt tregut të lirë. Çdo reformë që prek më shumë se mandatin e një qeverie ka nevojë të bëhet me konsensus. E kemi parë si ka dështuar Reforma në Drejtësi dhe Reforma në Arsim. Është thjesht një thirrje e dëshpëruar kriminale”.